Dita e 14 e pushtimit rus, çfarë po ndodh aktualisht në Ukrainë (FOTO LAJM)

Lufta në Ukrainë ka hyrë sot në ditën e saj të 14-të, duke lënë kështu pas shumë shkatërrime dhe jetë të humbura njerëzish.

Gjithashtu sipas raporteve të OKB-së, vendi është përballur me eksod masiv, që përllogaritet në mbi 2 milion të larguar.

Ditën e sotme sirenat binin gjithandej mbi Kiev dhe vendi priti mëngjesin nën bombardimet ruse dhe tentativat për evakuimin e civilëve, i cili është bërë më i vështirë ditët e fundit, pas sulmeve ndaj korridoreve humanitare.

Evakuimet nga qyteti verilindor Sumi janë kryer me sukses. Guvernatori i qytetit ka thënë se 5,000 persona besohet se janë larguar nga ky qytet në dy fazat e evakuimit.

Sumi, qytet afër kufirit me Rusinë, është përballur me bombardime të ashpra në ditët e fundit. Vetëm të hënën, 22 persona kanë vdekur, përfshirë tre fëmijë, si pasojë e sulmeve ajrore ruse, kanë thënë zyrtarët lokalë.

Tentime të ngjashme kanë dështuar në Çernihiv, sepse Rusia ka vazhduar të bombardojë rrugët dalëse, ka pretenduar Ukraina.

Rusia ka bërë të ditur për një tjetër armëpushim, kanë raportuar mediat ruse

Sipas Moskës, korridoret do të jenë të hapura në Kiev, Çernihiv, Sumi, Harkiv dhe Mariupol nga ora 10:00 sipas kohës lokale. Ky është njoftimi i tretë për armëpushime, ndonëse shumica kanë dështuar.


Shtuar 9.03.2022 08:05