Bild: Sfidat më të mëdha për Kosovën fillojnë pas zgjidhjes së st
Albeu.com
"Çdo shtyrje e mëtutjeshme e statusit të Kosovës do të ishte e panevojshme dhe e dëmshme për procesin dhe për qytetarët e Kosovës", tha sot kryeministri Agim Çeku, pas takimit me ministrin e Jashtëm të Suedisë, Karl Bild sot në Prishtinë.Ky i fundit theksoi nevojën për një periudhë të bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, pas publikimit të pakos së Ahtisarit. Diplomati suedez u takua sot edhe me presidentin Fatmir Sejdiu dhe me shefin e UNMIK-ut Joakim Ryker.
"Procesi i statusit të Kosovës është shumë i rëndësishëm dhe mjaft delikat si për Prishtinën ashtu edhe për Beogradin, prandaj do të duhet edhe një periudhë e bisedimeve pas prezantimit të pakos së Ahtisarit", tha sot në Prishtinë, ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bild, duke theksuar nevojën për krijimin e një fryme të kompromisit për periudhën e diskutimeve. Pas takimeve me presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Çeku,Bild vlerësoi se pakoja e Ahtisarit duhet të shqyrtohet me shumë kujdes, në të gjitha detalet. “Është shumë e rëndësishme që të gjithë ta shqyrtojmë atë (pakon e Ahtisarit) me kujdes dhe të krijohet hapësirë për ta diskutuar, sepse ky do të jetë fillim i një procesi shumë të rëndësishëm. Do të kërkohet pjekuri dhe maturi në Kosovë, në Serbi, si dhe midis Kosovës dhe Serbisë që të krijohet një frymë e kompromisit. Kjo nuk do të jetë e lehtë, por është shumë e rëndësishme”, tha Bild. Diplomati suedez tha se Suedia do të japë kontributin e saj në kuadër të angazhimit të Bashkimit Evropian për Kosovën, por nuk saktësoi nëse ajo e pranon pavarësinë e Kosovës. Ai theksoi nevojën që Këshilli i Sigurimit të marrë një vendim të qartë për Kosovën. Ndërkaq, kryeministri Agim Çeku theksoi se procesi i statusit duhet të zhvillohet me dinamikën e paraparë dhe se nuk ka asnjë arsye për shtyrje të tij. “Mendojmë se Ahtisari pasi t’i dëgjojë komentet tona, në afatin sa më të shkurtër, ta dorëzojë propozimin dhe rekomandimet e tij në Këshillin e Sigurimit dhe pastaj KS ta ndërtojë një rezolutë me të cilën do të njihte Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Çdo shtyrje kishte me qenë e papranueshme e paarsyeshme dhe e panevojshme. Dhe si e tillë kishte me qenë shumë e dëmshme për procesin dhe për të gjithë ne”, tha Çeku. Edhe presidenti Fatmir Sejdiu theksoi nevojën që procesi të vazhojë në bazë të dinamikës së paraparë. “E shtrova nevojën që pas hapjes së pakos së Ahtisarit procesi të ecë më shpjet dhe të përfundojë mirë me pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj ndërkombëtare dhe një nevojë më të madhe në shtimin e komunikimeve edhe për zhvillimin ekonomik”, theksoi Sejdiu. Megjithatë, kryenegociatori Marti Ahtisari do ta ftojë Prishtinën dhe Beogradin në një takim në Vjenë, ku të dy palët do të kenë mundësi t’i shprehin pikëpamjet e tyre, para se të përgatitet varianti përfundimtar i dokumentit për statusin. Ky dokument do t’i dorëzohet më vonë sekretarit të përgjithshëm të OKB-së dhe pastaj edhe Këshillit të Sigurimit për miratim.
Diplomati Suedez tha se Bashkimi Evropian do të japë një qëndrim unik, sepse BE-ja ka një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e proceseve në Kosovë. Ministri Bildt tha se sfidat më të mëdha për Kosovën fillojnë pas zgjidhjes së statusit dhe veçoi çështjen e zhvillimit ekonomik. Në këtë kuadër ai premtoi vazhdimin e ndihmës financiare të Suedisë për Kosovën.
Shtuar më 31/01/2007, ora 22:55
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori