Bilanc lufte, 5 të vdekur dhe 8 të plagosur nga aksidentet
Pëlqej
Të paktën 5 persona kanë gjetur vdekjen në disa aksidente rrugore të ndodhur në vendin tonë gjatë orëve të fundit ndërkohë që tetë të tjerë kanë mbetur të plagosur. Nga një aksident në afërsi të tunelit të Kalimashit, ka humbur jetën 21 vjeçari Liridon Fejza nga Mitrovica, ndërsa kanë mbetur të plagosur babai dhe vëllai i viktimës, Adrian dhe Blerim Fejza, si dhe 30 vjeçari nga Fushë Kosova, Fidan Ismaili. Të plagosurit janë dërguar në spitalin e Lezhës, ku edhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë që në orët e para të mëngjesit në superstradën Laç-Fushë Krujë, një mjet me targa LA 2781 A, ka dalë nga rruga duke përplasur me një shtyllë. Për pasojë ka humbur jetën drejtuesi i automjetit, Anton Lleshi, 19 vjeç banues në Laç, si dhe është plagosur pasagjeri Petrit Lleshi. Policia është duke punuar për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Gjithashtu në Laç ëshë shënuar një tjetër aksident gjatë orëve të mbrëmjes, ku Alfred Gjini, 26 vjeç, pasi është aksidentuar ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak, ndërsa ka mbetur i plagosur 28 vjeçari, Eduard Cakoni.

Në Tërbuf të Lushnjes, ditën e djeshme një makinë foristradë “Land Rover”, ka aksidentuar rëndë shtetasin M.H, 29 vjeç. I plagosuri nuk ka mundur ti mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në spital.

Mëngjesin e sotën, në aksin Kakavijë-Gjirokastër, një automjet ka përplasur rëndë shtetasen me iniciale M.B, 40 vjeç nga Libohova. 40 vjeçarja nuk ka mundur ti mbijetojë plagëve të shkaktuara nga përplasja dhe ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur në Tiranë. Ndërsa policia ka ndaluar drejtuesin e mjetit, Grigor Magallara. Në rrugën nacionale Korçë-Pogradec, një automjet tip Mitsubishi me targa PG 6646 B, është përplasur me automjetin tip Volsvagen me targa AA 672 IF. Si pasojë e përplasjes janë plagosur drejtuesit e të dy automjeteve me iniciale E.T dhe V.H. Drejtuesja V.H që drejtonte automjetin Volsvagen është dërguar drejt Tiranës në gjëndje të rëndë për jetën.

Shtuar më 13/08/2014, ora 17:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori