Bie “muri” i fundit i Bllokut
Në ditën e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës është hapur për qytetarët rrethimi i vilës 30, ose siç njihet ndryshe edhe vila e Mehmet Shehut. Artan Lame dhe Artan Shkreli thane se kjo zonë do ti kthehet qytetarëve si lulishte.

Artan Lame u shpreh për mediat se kjo lulishte duhej të ishte atje para 20 e ca vitesh të shkuara.


"Që sot, kjo pjesë e madhe e kësaj lulishteje të qytetit i kthehet prapë qytetarëve. Ne bëmë goxha punë edhe për risistemimin e saj sepse në gjithë këto vite, ajo gati ishte kthyer në një lloj xhungle brenda qytetit dhe që sot ajo është e hapur për të gjithë qytetarët.
Që nesër, edhe unë vetë me fëmijët e mi, do të jem prezent, për ta parë dhe ata dhe për të shkelur në një lulishte tjetër të këtij qyteti, që kaq pak zona të gjelbra i kanë mbetur. Nga ana tjetër, u desh edhe një punë e madhe për ta lidhur edhe me pjesë të tjera të parkut, sepse një pjesë e këtij parku ekzistonte.Ajo që është çudi tjetër, ka të bëjë me faktin se kjo lulishte historikisht ka qenë e hapur për qytetarët në vitet ‘50 kur është ndërtuar për herë të parë. Pastaj në atë periudhën më të zymtë të diktaturës, në vitet ‘70-80 u rrethua. Njerëzit kalonin dhe iknin me vrap sepse kjo ishte pjesë e Bllokut dhe kjo pjesë e Bllokut mbijetoi çuditërisht edhe pasi u shemb Blloku, mbijetoi deri në vitin 2014, pra deri sot, kur po i rikthehet qytetit.
Sot është dhe kjo dita që unë do të kisha dëshirë të kujtoja rrëzimin e monumentit të diktatorit. Por po e kujtoj nga kjo lulishte se atje ku duhet të isha, 20 e ca vjet të shkuara kam qenë në grevën e studentëve, nuk shkoj dot sot, se as më ka ftuar njeri dhe do të më shikonin me inat po të shkoja. Të paktën e kujtoj nga kjo lulishte e re, nga ky mur i fundit i bllokut që ne po ia kthejmë qytetit." u shpreh Lame.


Ndersa Artan Shkreli u shpreh se ishte një dëshirë e kryeministrit që për të kujtuar momentin e rënies e bustit të diktatorit, ta shoqërizonte në mënyrë simbolike, nga njëra anë me rënien e kësaj tabuje të fundit që kishte ngelur në kryeqytet nga Blloku i dikurshëm, por edhe në mënyrë jo simbolike, por funksionale, për t’ia dhënë qytetarëve.


"Natyrisht, që këtu investimi është shumë i vogël, më tepër kishte një karakter pastrues, krasitës; heqja e strukturave metalike; telave me gjemba, që ishin të panumërt në këtë sipërfaqe; mbulimi i shumë bunkerëve, këtu ishin 7 ose 8 bunkere, që kishin mbijetuar nga koha e komunizmit dhe e kishin dëmtuar sipërfaqen e këtij parku. Por ra dhe ajo errësirë që e shoqëronte. Sa herë kaloje nga bulevardi, në sfond ishte një gjë e errët dhe shiheshin vetëm roje të armatosura. Nuk ka pse në zemrën e Tiranës sot, ne të mbanim hapësira të tilla, të cilat të na kujtonin ankthshëm, një periudhë e cila ka marrë fund.
Besoj që në periudhën në vijim, ky park i cili filloi rehabilitimin e tij do të ngrihet në një rang më të lartë, jo vetëm me futjen në punë të basenit ujor që është këtu, jo vetëm me stolat dhe rrugicat që janë shtruar, por do të vihet dhe ndriçim kontemporan. Ndoshta mund të futen dhe elemente të tjerë urbanë, siç janë lojërat për fëmijë, apo pika të tjera informacioni, rekreative, por natyrisht asnjë lloj ndërtimi sikurse, për fat të keq shpeshherë ka ndodhur në kryeqytetin tonë." u shpreh Shkreli. /albeu.com/
Shtuar më 20/02/2014, ora 13:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori