Kokëdhima thirrje publike Ramës: Çliro sistemin shëndetësor, njerëzit po vdesin!

Kryetari i partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima kërkon publikisht nga kryeministri Rama që të çlirojë sitemin shëndetësor, sepse njerëzit po vdesin sipas tij, nga mungesa e shërbimeve.

Sipas tij, shërbimi shëndetësor është në vështirësi të mëdha për shkak se me vite është dërrmuar.

“Lejoi njerëzit të kenë mundësi që të vizitohen, të marrin mjekimet.

E di që je në hall të madh, se i keni falimentuar ndër vite burimet njerëzore dhe materiale të shërbimit shëndetësor, aq sa ato që kanë mbetur i doni për të luftuar COVID-19-shkruan Kokëdhima.

Reagimi i plotë i Kokëdhimës:

Prej dy muajsh kam qindra mesazhe, ankesa dhe lutje pacientësh që s’kanë ku të marrin mjekime, se qeveria e ka mbyllur shërbimin shëndetësor, duke lejuar vetëm operacionet urgjente, për të përballuar pandeminë.

Janë dhjetra kronika që tregojnë kalvarin e qindra mijëra shqiptarëve që nuk arrijnë të marrin shërbimin parësor, trajtimet e domosdoshme për sëmundjet kronike e të rënda që të çojnë në fatalitet nëse nuk ndiqen.

I bëj thirrje publike Edi Ramës që t’i japë fund dënimit me vdekje që u ka dhënë shqiptarëve. Çliro shërbimin shëndetësor, ashtu siç e ke copë-copë dhe të falimentuar! Lejoi njerëzit të kenë mundësi që të vizitohen, të marrin mjekimet.

E di që je në hall të madh, se i keni falimentuar ndër vite burimet njerëzore dhe materiale të shërbimit shëndetësor, aq sa ato që kanë mbetur i doni për të luftuar COVID-19. Por si te ‘ujku, ujku, por çakalli po bën kërdinë’, sëmundjet kronike dhe të moshës po vrasin në heshtje dhe larg buletineve zyrtare mijëra të papërkrahur dhe të padëgjuar, të privuar nga shërbimi shëndetësor.

Mos harro se vetëm sëmundjet respiratore, zemrës dhe të kancerit marrin rreth 23 mijë njerëz në vit. Mendo si bir, si prind, vëlla, apo qoftë si pacient, çfarë të duash, por çliroje sistemin, sepse njerëzit po vdesin.


Shtuar 30.04.2020 16:30