Biberaj i kerkon OKB-se te hetoje genocidin serb ne Kosove
Pëlqej
Albeu.com
Zv. Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Aleksandër Biberaj, dhe delegacioni i Këshillit të Europës, në përfundim të vizitës së tyre në OKB, kanë patur një sërë takimesh të rëndësishme.Zoti Biberaj ka mbështetur idenë e zgjerimit të Këshillit të Sigurimit me anëtarë të rinj, si dhe atë të kufizimit të përdorimit të së drejtës së vetos, duke qenë më shumë në favor të heqjes së saj.

Gjatë takimit me z. Francis Deng, Këshilltar Special për Çështjet e Genocidit dhe të Krimeve Masive, janë diskutuar rastet e ndryshme që mund të klasifikohen si raste genocide. Një vend të veçantë në bisedë ka zënë edhe Ballkani me luftrat e tij, gjatë viteve 1990-1999.

Në fjalën e tij në takim, duke u përqëndruar tek Ballkani, z. Biberaj është fokusuar tek masakra e Srebenicës, si një rast i pastër genocide, si dhe tek genocidi dhe spastrimi etnik i kryer në Kosovë nga ushtria serbe. Z. Biberaj kërkoi gjithashtu që OKB të hetojë për genocidin serb të kryer në Kosovë, ku u vranë mbi 10.000 kosovarë, si dhe rezultojnë akoma edhe sot me mijëra të zhdukur.



Në qendër të bisedimeve në këto takimeve ishin probleme të ndryshme që shqetësojnë sot OKB-në dhe KE-në.Delegacioni i KE-së zhvilloi takime me z. Francis Deng, Këshilltar Special për Çështjet e Genocidit dhe të Krimeve Masive, Alain Le Roy, Nënseketar i Përgjithshëm për Operacionet Paqeruajtëse, John Holmes, Nënsekretar i Përgjithshëm për Çështjet Humanitare dhe Emergjencat, Eva Busza, nga Kabineti i Sekretarit të Përgjithshëm, si dhe Jane Holl Lute, Asistente e Sekretarit të Përgjithshëm.

Një takim të veçantë, delegacioni i KE-së ka patur me Jorge Urbina, Kryetar i Këshillit të Sigurimit, si dhe me ambasadorë të vendeve të ndryshme, të akredituar në OKB. Në takimin me Jorge Urbina, Kryetar i Këshillit të Sigurimit, bashkëbiseduesit kanë diskutuar kryesisht për reformën, e cila po diskutohet prej kohësh në OKB dhe që parashikon zgjerimin e mëtejshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me anëtarë të rinj. Në takim u diskutua gjithashtu dhe rishikimi i së drejtës së vetos në Këshillin e Sigurimit, me qëllim kufizimin e përdorimit të saj apo edhe heqjen fare të saj.
Shtuar më 08/11/2008, ora 20:16
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori