Në Shqipëri e kërkojnë me qiri, Laert Haxhiu kërkoi azil në Greqi, arrin dosja në Athinë

Dosja e të shumëkërkuarit Laert Haxhiu, i arrestuar pak javë më parë në Janinë, i është dorëzuar autoriteteve greke. mësohet se pas marrjes në dorëzim të fashikujve hetimorë, tashmë verdikti i takon gjykatës së Janinës, për të vendosur nëse do lejojnë apo jo ekstradimin e tij.

Ky i fundit, po sipas gazetares, mësohet se ka kërkuar azil me argumentin se i rrezikohet jeta nëse do ekstradohet. Seanca e parë për ekstradimin e Laert Haxhiut do mbahet më datë 20 qershor.

Në fund të muajit Maj, gjykata e Janinës dha 40 ditë në burg Haxhiun, në pritje të procedurave të ekstradimit drejt Shqipërisë, ku e pret përballja me drejtësinë për akuzat e vrasjes dhe grupit të strukturuar kriminal.

31-vjeçari, i konsideruar nga Policia e Shtetit si një nga 5 më të kërkuarit në vend që prej vitit 2017, është dënuar për vrasje të mbetur në tentativë me 18 vjet burgim për një ngjarje të regjistruar në 2016 dhe është në gjykim, në Gjykatën e Posaçme për vrasjen e dyfishtë në Lushnjë në 2017, ku humbën jetën Zamir Latifi e Jurgen Hoxha, si dhe u plagos Marjus Xhepexhiu.

Në të dyja ngjarjet, hetimi tregoi se objektiv ka qenë Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares dhe shkak dyshohet se janë bërë përplasjet e vjetra të Bandës së Lushnjes.


Shtuar 14.06.2023 10:30