Besojne ne triumfin e Kosoves ndaj Serbise
Albeu.com
Edhe pse askush nuk e di përmbajtjen e dokumentit me të cilin Kosova të premten do të prezantohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, për të mbrojtur ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë, përfaqësuesit e ...... shtetit të Kosovës, pozita dhe opozita, edhe pse kjo e fundit është kritike për mostransparencë të hartimit të dokumentit, besojnë se do të triumfojnë në betejën përballë Serbisë.

Ekipi i ekspertëve, i udhëhequr nga avokati britanik Majkëll Vood, do të deponoë të premten në GJND dokumentin prej qindra faqesh me argumente për pavarësinë e Kosovës.

Majkëll Vood ka qenë pjesë e delegacionit britanik në Konferencën e Rambujesë dhe po ashtu ka shërbyer si ekspert ligjor në OKB gjatë procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe konsiderohet personaliteti më i qëlluar.

Një ditë para se dokumenti të dorëzohet në GJND zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se Kosova po hyn në një proces të iniciuar nga pala e Serbisë, por që nuk mund ta kthejë prapa procesin e shtetbërjes së Kosovës. Kosova sipas tij ka angazhuar një ekip të ekspertëve ndër më të mirët në botë dhe është e përgatitur që të bëjë prezantimin juridik dhe politik të shpalljes së pavarësisë. “Mbi të gjitha Kosova ka edhe argumentet e saj legale, politike, historike dhe të gjitha argumentet që i takojnë një populli dhe një vendi që është shtet sovran dhe i pavarur. Argumentet që do të prezantohen të premten në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë janë të artikuluara shumë mirë”, tha zv.kryeministri Kuçi. Ai bëri të ditur se Kosova në Gjykatë do të prezantohet nga ekipi i ekspertëve ndërkombëtare, i prirë nga z. Majkëll Vood, dhe se institucionet e vendit janë të bindura se ky grup i ekspertëve do të bëjë punën më të mirë të mundshme. Edhe pse ende nuk dihet se çfarë vendimi do të marrë Gjykata e Drejtësisë, ai është i bindur se ky proces nuk është diçka që vë në dyshim funksionimin e shtetit të Kosovës, por diçka që do ta verifikojë edhe një herë dhe do ta ketë një argument më pak Serbia që ta kundërshtojë Kosovën.

Duke dashur që ky proces të kalojë në të mirë të Kosovës, opozita beson që dokumenti të jetë i përgatitur mirë, edhe pse, siç shprehen ata, ‘puna e deritanishme që ka bërë qeveria lë hapësirë për dyshime’. Kryetari i LDD-së, Nexhat Daci, procesin në GJND e sheh si sfidë të radhës dhe të një rëndësie të madhe politike, ndërsa thekson se mungesa e transparencës, mosangazhimi i trurit profesional të Kosovës që është në qarqet akademike dhe politike, ka bërë që të mos jemi të qetë. Daci i dha komplimente Qeverisë për përzgjedhjen e ekspertit të mirë ndërkombëtar z. Vood, por nga ana tjetër konsideron se mbështetja gjithmonë vetëm nga faktori ndërkombëtar po e dëmton rëndë imazhin e Kosovës qoftë brenda vendit, qoftë jashtë tij. “Vazhdimisht po mungon demonstrimi i kapacitetit vendor, i argumentimit, sepse rruga që ka ndjekur Kosova deri në pavarësimin e saj njihet më së miri nga njerëzit në Kosovë, nga ekspertët e saj dhe bashkërisht do të ishin më të qetë si qytetarë”, tha ai. Duke mos dashur ta përdorë rolin kritikues të opozitës, kryetari Daci shpreson se çdo gjë do të shkojë mirë, edhe pse sipas tij parashikimet politike nuk janë të favorshme në rritjen e numrit të njohjeve, si dhe në investime.

Deputeti i AAK-së, Bajram Kosumi, nuk është në dijeni për përmbajtjen e dokumentit dhe as për idetë themelore të atij dokumenti, por beson se është bërë një përgatitje e mirë, edhe pse, siç thotë ai, ‘puna e deritanishme që ka bërë Qeveria lë hapësirë për dyshime se ajo ka ditur të shfrytëzojë kapacitetet edhe të ekspertëve vendorë, edhe të atyre ndërkombëtarë për të paraqitur mbrojtjen e shtetësisë së Kosovës para GJND-së. Sukseset dhe dështimet në këtë proces ai i konsideron se janë të natyrës juridike, psikologjike dhe praktike, por është i bindur në faktin se çfarëdo vendimi që do të merret në Gjykatën e Hagës nuk mund ta kthejë prapa procesin e bërjes së shtetit të Kosovës. “Janë probleme të natyrës psikologjike dhe praktike. Nëse GJND-ja merr vendim negativ, të gjitha ato shtete që hamenden në njohjen e shtetit të Kosovës do të hamenden edhe më shumë, do të krijohen pengesa në rrugëtimin e Kosovës dhe ky ka qenë interesi i Serbisë për ta paditur Kosovën në GJND”, tha ai.

Pas prezantimeve të para të dokumenteve, që palët do ta bëjnë të premten, do të ketë një afat prej 3 muajsh kur palët do të shikojnë ballafaqimin e argumenteve. Por, sipas z. Kuçi, ky është një proces, i cili do të shkojë në rrugën e vet dhe paralelisht me të do të shkojë edhe procesi i njohjes së Kosovës, i ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe i funksionimit të saj si shtet. (Lirie Hajdari, Bota Sot)
Shtuar më 16/04/2009, ora 22:51
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori