Besimtarët ortodoksë sot kremtojnë Festën e Pashkëve
Albeu.com
Mesazhe urimi për Festën e Pashkëve besimtarëve ortodoksë u kanë dërguar kryeparlamentari Kolë Berisha, kryeministri Agim Çeku, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe subjekte tjera politike e shoqërore, me dëshirën që këto ditë festive t’i kalojnë në atmosferë të ngrohtë, gëzim e harmoni.Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, uron që Festa e Pashkëve të sjellë më shumë paqe, dashuri, respekt dhe tolerancë në mesin e të gjithëve në Kosovë dhe kudo që jetojnë besimtarët e besimit ortodoksë. "Vitin e ardhshëm i kremtofshim edhe Pashkët ortodokse në Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, shtet i sigurt për të gjithë qytetarët që jetojnë në të, pa dallime etnike e religjioze”. Në urimin e kryeministrit Çeku thuhet se Dita e ringjalljes së Krishtit është unike në historinë njerëzimit. "Kjo është një ditë që sjell gëzim në të gjitha shtëpitë ngase kremtohet fitorja e jetës mbi vdekjen. Që ky gëzim të na përcjellë çdo ditë, ne po punojmë në ndërtimin e një shoqërie të sigurt, por për këtë duhet të punojmë së bashku. Unë besoj se të gjithë qytetarët e Kosovës, duke përfshirë edhe qytetarët e fesë ortodokse, të frymëzuar nga ky gëzim dhe nga bindjet fetare, do të bashkohen për ndërtimin shoqërisë kosovare, një shoqërie të sigurisë, të drejtësisë, të mirëqenies të cilën do ta ndërtojmë me përpjekje të përbashkëta. Ashtu siç përshëndeste Jezusi “Paqe për ju!” Unë dëshiroj dhe shpresoj që kjo përshëndetje të arrijë deri tek të gjithë, për çdo ditë, në çdo çast dhe kudo që të ndodheni. Të gjithë juve besimtarë të dashur, ju uroj Pashkët e bekuar, me paqe, gëzim dhe shpresë", thuhet në mesazhin e kryeministrit Agim Çeku drejtuar besimtarëve ortodoksë. Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u uron të gjithë besimtarët ortodoksë në Kosovë,këto ditë festive . AAK, njëkohësisht, i uron përzemërsisht të gjithë misionarët ndërkombëtarë në Kosovë me bindjen dhe sigurinë e saj se Pashkët e ardhshme do t’i kremtojmë në Kosovën shtet sovran e i pavarur dhe vend të sigurt për të gjithë qytetarët e saj, pa dallime etnike ose religjioze. rtk
Shtuar më 23/04/2006, ora 18:02
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori