Pesë hapat që nevojiten për ta mposhtur Rusinë e Putinit

Nga Petro Poroshenko “Formiche

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Dimri ka ikur, duke sjellë me vete “historinë horror“ aq shumë të preferuar të Kremlinit, sipas së cilës qytetarët e Bashkimit Evropian do ngrinin për vdekje pa gazin që vinte deri dje nga Siberia. Në fakt Epoka e re Akullnajore nuk erdhi. Falë përpjekjeve të zgjuara, qeveritë evropiane kanë arritur që të çlirohen nga varësia energjetike ruse.

Moskovitët e kanë humbur tregun e madh evropian, një rrjedhë të qëndrueshme parash në buxhetin e shtetit që për dekada ka ushqyer gerontokracinë e Putinit dhe aspiratat e tij neo-imperialiste. Në fund të sezonit të dimrit, çmimi i gazit arriti në nivelin më të ulët historik. Për herë të parë që nga gushti i vitit 2021, ai ra nën 450 dollarë për 1.000 metra kub. Pas rënies drastike të konsumit të gazit rus, vendosja e një çmimi tavan, fillimisht për naftën bruto dhe më pas për derivatet e naftës ruse, ka rezultuar të jetë një masë shumë efektive.

Sepse si rezultat i saj të ardhurat nga nafta dhe gazi janë përgjysmuar në periudhën janar-shkurt 2023, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Deficiti buxhetor i Rusisë për 2 muajt e parë të këtij viti, është thuajse i barabartë me deficitin e parashikuar për një vit të plotë.

I prekur ndjeshëm nga sanksionet, Kremlini e ka zgjeruar fushatën e tij të dezinformimit për ta bindur botën se “sanksionet nuk po funksionojnë” dhe se “gjithçka po shkon sipas planit”.

Ky është dukshëm një bllof i Kremlinit. Moska e ka befasuar botën me natyrën e zgjatur të konfliktit, duke u përpjekur ta pakësojë mbështetjen publike për sanksionet në shoqëritë perëndimore dhe të ndikojë mbi votuesit në vendet demokratike.

Zgjedhje të rëndësishme do të mbahen vitin e ardhshëm në Shtetet e Bashkuara dhe në Bashkimin Evropian. Putin po e afron luftën drejt rizgjedhjes së tij në vitin 2024, për ta paraqitur veten si mbrojtës të Rusisë kundër Perëndimit agresiv.

Lufta është shndërruar në flamurin e tij elektoral, ndaj ky ‘flamur’ duhet t’i hiqet nga duart brenda këtij viti. Nëse e analizojmë listën e gjatë të qindra sanksioneve të vendosura përgjatë një viti, është e qartë se janë 3 bllokada kryesore, ato që i kanë sjellë vuajtje dhe telashe Kremlinit.

Ato përfshijnë ngrirjen e aseteve shtetërore ruse me vlerë më shumë se 300 miliardë dollarë, dhe asetet e rusëve që janë në listën e më të pasurve të revistës “Forbes”; përjashtimin e disa bankave ruse nga sistemi SËIFT; masa kufizuese ndaj sektorit energjetik rus, që dikur siguronte gjysmën e të ardhurave buxhetore të Rusisë.

Gjithçka tregon se ku duhet goditur për t’i shkaktuar dëme maksimale makinerisë së luftës të agresorit. Së pari, është koha për të përjashtuar bankat e mbetura ruse nga sistemi SËIFT dhe për të ngrirë të gjitha pagesat ndërkombëtare të vendit agresor dhe rrethit të afërt të Putinit. Ky skenar do të jetë një rrezik për të gjitha ato vende që e mbështesin Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës.

Së dyti, të gjitha asetet e ngrira të Federatës Ruse dhe oligarkëve rusë duhet të përqendrohen në një fond transparent nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për të garantuar transparencë dhe për të penguar rënien e tyre në duart e zyrtarëve të korruptuar.

Ky fond duhet të përdoret plotësisht për të mbështetur rindërtimin e Ukrainës.

Së treti, ne duhet të pengojmë eksportet e naftës dhe gazit rus në të gjitha format e mundshme. Dhe nuk duhet të trembemi nga shantazhet e Rusisë. Tek e fundit ajo përbën një pjesë prej vetëm 7 për qind e tregut global të naftës, e cila mund të zëvendësohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite.

Sa i përket derivateve të naftës, rreth 30 për qind e kapacitetit global të rafinimit mbetet ende e lirë. Tregu global po i përshtatet sanksioneve kundër Rusisë pa ndonjë tronditje domethënëse për tregtarët. Si pasojë e ngrirjes së aseteve, likuiditeti i rezervave valutore të Rusisë është vetëm 120 miliardë dollarë (krahasuar me 650 miliardë dollarë para luftës). Dhe nëse vazhdon tendenca aktuale e reduktimit të rezervave, këto para mund të mbarojë që në muajt nëntor-dhjetor të këtij viti. Natyrisht, edhe në kushtet e një mungesë të madhe të parave, Putini do t’i japë sërish përparësi shpenzimeve për “luftën e tij të shenjtë” dhe do t’u kërkojë pensionistëve dhe grupeve të tjera të varura nga buxheti që të tregohen të durueshëm dhe të shtrëngojnë rripat e tyre.

Është e rëndësishme që Vladimir Putin të shfaqet para bashkatdhetarëve të tij si një udhëheqës i paaftë të përmbushë kontratën e tij sociale, e cila qëndron në themel të mbështetjes publike në Rusi për agresionin kundër Ukrainës, si dhe për përballjen e tij me botën demokratike.

Megjithatë, nuk duhet pritur që trupat ukrainase ta “djegin Moskën”. Kremlini duhet të bjerë për shkak të trazirave të brendshme brenda vetë Rusisë, për shkak të hemorragjisë së të ardhurave nga eksporti i energjisë, rënies së importeve, inflacionit të lartë dhe rënies së Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Përbindëshi i luftës, i lëshuar nga Putini, duhet të gllabërojë në fund vetë regjimin e tij. Po si mund ta arrijmë këtë? Së pari, kufiri i çmimeve të naftës ruse bruto dhe i produkteve të derivateve duhet të ulet vazhdimisht.

Së dyti duhet të vendoset një kuotë furnizimi dhe një kufi çmimi për projektet e gazit natyror të lëngshëm të Rusisë, të cilat janë shndërruar në një minierë ari për të financuar ushtrinë e Vladimir Putinit dhe miqve të tij.

Së treti, duhet të mbyllet Kanali i Suezit për ngarkesat e naftës dhe rafinerive me origjinë ruse. Rruga rreth e rrotull Afrikës është më e gjatë, transporti është më i shtrenjtë, duhen më shumë cisterna, kostot e logjistikës janë më të larta dhe fitimet më të ulëta.

Së katërti. Duhet të mbyllet dega jugore e gazsjellësit Druzhba, e cila i garanton ende Rusisë 4 miliardë dollarë në vit. Mund të zhvillohen alternativa për Hungarinë, Republikën Çeke dhe Sllovakinë. Për shembull, mund të krijohet një rrugë përmes Kroacisë për të mbuluar nevojat e tyre.

Së pesti. Ne propozojmë të vendosen sanksione jo vetëm ndaj flotës së madhe të cisternave ruse që veprojnë aktualisht më hije, por edhe vendosjen e sanksioneve dytësore ndaj atyre që blejnë naftën e transportuar nga këto anije.

Njëkohësisht, këto anije duhet të identifikohen si ruse jo vetëm nga flamuri i tyre, por edhe nga pronarët e tyre aktualë që përfitojnë. Lufta kundër flotës së cisternave në hije, është gjithashtu e rëndësishme sepse përveç shkeljes së regjimit të sanksioneve, gjeneron miliarda dollarë të ardhura të paligjshme përmes ryshfeteve dhe financime të fshehura, duke përfshirë shpenzimet ushtarake për agresionin kundër Ukrainës dhe mbarë botës së qytetëruar.

Dhe këtu ka një rol kryesor edhe Task Forca e Veprimit Financiar. Forcat tona të Armatosura u kanë kërkuar si ukrainasve ashtu edhe vendimmarrësve perëndimorë që të na furnizojnë me gjithnjë e më shumë armë. Prioriteti kryesor janë predhat dhe municionet e tjera, por dhe artileri, tanke, avionë luftarakë dhe raketa me rreze të gjatë veprimi.

Vendimet kryesore merren në fushën e betejës me koston e humbjeve njerëzore, ndaj është e rëndësishme që partnerët perëndimorë ta shtojnë furnizimin me armë për Ukrainën. Por që të shpëtojmë sa më shumë jetë që është e mundur, ne duhet të ndërmarrim hapa për ta dëmtuar sa më rëndë ekonomikisht Rusinë dhe pakësuar fondet për makinerinë e tij të luftës. /AlbEu.com

Shënim:Petro Poroshenko, president i Ukrainës në vitet 2014-2019.

 

 

 


Shtuar 22.03.2023 13:28