Berisha uron Haradinajn per 10-vjetorin e AAK-se
Albeu.com
Kryeministri i Shqipërisë dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka përcjellë telegram urimi kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt, me rastin e 10-vjetorit të themelimit të AAK-së.
“Historia 10-vjeçare e AAK-së është e pandarë nga historia e Kosovës së re. Si një parti politike me vizion të ri, në pushtet apo në opozitë, AAK-ja, krahas subjekteve të tjera politike, ka dhënë kontributin e saj të çmuar në kurorëzimin e përpjekjeve për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në arritjen e mrekullueshme për ndërtimin e një shoqërie të lirë, ku të gjithë qytetarët ndihen të barabartë, pavarësisht nga përkatësia etnike, në
konsolidimin e institucioneve të Kosovës së pavarur, në konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe shndërrimin e saj në një faktor të rëndësishëm të paqes dhe të stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, thuhet në telegram.

“Përfitoj nga ky rast, për t’Ju siguruar, i nderuari z. Haradinaj, se PDSH-ja është e vendosur në bashkëpunimin e frytshëm, që ekziston me AAK-në, ta zhvillojë e ta pasurojë më tej, në shërbim të vizioneve të përbashkëta të integrimit europian dhe euroatlantik të të dy vendeve dhe në të mirë të të dy popujve”, thuhet pos tjerash në telegramin e urimit të Berishës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Demokratike e Shqipërisë, si dy subjekte të djathta politike, vitin e kaluar, në nivel kryetarësh, kanë nënshkruar në Tiranë memorandum bashkëpunimi.
Shtuar më 14/05/2010, ora 19:28
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori