Berisha: Të ngrihemi e të shpëtojmë vendin nga kjo e keqe
Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar qeverinë Rama për mungesën e energjisë elektrike në 170 komuna dhe 15 bashki të vendit. Sipas tij nata e këtij Viti të Ri dhe ditët para tij, do mbahen mend gjatë për errësirën, jo pak orëshe por të ditëve të tëra, me diga plot të hidrocentraleve të vendit. Shkak i mungesës së energjisë janë papërgjegjshmëria e zyrtarëve që braktisën çdo detyrë ndaj qytetarëve.

"Errësira nuk ishte rezultat i thatësirës ekstreme, por ishte rezultat i papërgjegjësisë ekstreme, makutërisë të neveritshme të administratës, zyrtarëve dhe qeveritarëve që braktisën çdo detyrë dhe përgjegjësi dhe u derdhën të festojnë për vete si lukuni, të dehur dhe trallisur, në resorte, vila luksoze, brenda dhe jashtë vendit", shkruan ish-kryeministri në Facebook.

Gjithashtu ai foli edhe për rritjen e çmimit të energjisë, duke thënë se nga data 1 janar qytetari shqiptar do blejë nga qeveria e tij kilovatin e energjisë elektrike 2-5 herë me shtrenjtë, se sa çdo qytetar tjetër në Evropë.

"Nga data 1 janar hyjnë në fuqi taksat e reja që ndëshkojnë rëndë, direkt apo indirekt, çdo qytetar të këtij vendi, që do thellojnë me shpejtësi papunësinë, varfërinë, mjerimin në Shqipëri. Të dashur qytetare e qytetarë! Me këtë qeveri të errësirës, të ardhme nuk kemi por zgjedhja është në duart tona. Ose të mbllaçitim konferencat, mashtrimet e Ramës dhe neobllokmenëve të tjerë dhe të pranojmë terrin, pasigurinë, papunësinë, varfërinë dhe mjerimin e shkaktuar nga qeveria e tyre e keqe dhe e papërgjegjshme! Ose të ngrihemi, sa më parë, të shpëtojmë vendin nga kjo e keqe që po na rrokullis çdo ditë e më keq. E dyta është dhe do të jetë zgjedhja jonë!", paralajmëron Berisha. /albeu.com/





Shtuar më 04/01/2015, ora 17:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori