Berisha si reklame per lideret shqiptare te Maqedonise
Albeu.com
Liderët e partive politike shqiptare të Maqedonisë preferojnë të takohen me kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha sepse duan të përfitojnë pikë politike. Përveç se ai është personi më kompetent aktualisht me të cilin duhet të ...... diskutohen çështjet kombëtare, ai duket se është politikani më i pëlqyer të popullata shqiptare e Maqedonisë, shkruan në numrin e sotëm gazeta Lajm.

Artan Grubi nga Lëvizja qytetare “Zgjohu” pohon se liderët politik takojnë Sali Berishën për arsye se ai është përfaqësuesi legjitim i Shqipërisë dhe është e natyrshme ta takojnë në cilësinë e Kryeministrit të shqiptarëve. “Por, vërehet edhe një keqpërdorim i vogël i këtyre takimeve, për arsye se politikanët tanë janë të vetëdijshëm që Berisha ushtron një simpati dhe autoritet mbi të gjithë shqiptarët kudo qofshin dhe përpiqen të shfaqin ndonjë afërsi, edhe përkundër dallimeve të thella ideologjike, vetëm për përfitime propagandistike”, tha Grubi.

Për analistin, Imer Ismaili takimi i liderëve nga Maqedonia me Sali Berishën ndodh vetëm për shkak se aktualisht ai është në pushtet. “Kur shqiptarët janë në situata dramatike, atëherë më duket e logjikshme që kontaktet të bëhen me drejtuesit e shtetit shqiptar. Në këtë subjekt zyrtarët e Tiranës më duken më adekuat kur është në pyetje koordinimi i çështjeve të nivelit kombëtar. Takimet duhet të bëhen me peronat zyrtarë, pavarësisht se kush është në pushtet aktualisht”, tha Imer Ismaili.

Ai thekson se politikanët nga Maqedonia nuk kanë asnjëfarë ndikimi në politikën e Shqipërisë, kurse ata kanë ndikim të madh në politikën e Maqedonisë.

Së fundmi është zhvilluar një takim i kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe atij të PDSH-së, Menduh Thaçi me kryeministrin Sali Berisha, duke u këshilluar për mënyrën e veprimit në Maqedoni.

Artan Grubi pohon se liderët presin ndonjë kohë kur Rama të fitojë zgjedhjet dhe të bëhet përfaqësues legjitim i shqiptarëve. “Berisha ka krijuar një imazh të përkujdesjes institucionale të Tiranës për pjesët e kombit shqiptar që jetojnë në Kosovë dhe Maqedoni si dhe ka merita të veçanta për rrëzimin e komunizmit, hyrjen në NATO, rrugën e kombit, etj, ndërsa Rama shfaqet i largët dhe i huaj për shqiptarët jashtë kufijve politik të Shqipërisë”, tha Grubi.

Jozyrtarisht partitë shqiptare në Maqedoni i kanë ftohur raportet me kryetarin e PS-së, Edi Rama. Ndërkaq, gjatë udhëtimeve të tyre në Kosovë, politikanët shqiptarë të Maqedonisë takohen edhe me pozitën, por edhe me opozitën.
Shtuar më 06/05/2010, ora 10:01
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori