Berisha: Shqiperia e dyta ne bote per transparencen e prokurimeve
Albeu.com
"Organizata e Kombeve të Bashkuara rendit Shqipërinë të dytën në botë për transparencën e prokurimeve në vend", tha sot, sipas news24, kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Duke e konsideruar këtë një lajm shumë të rëndësishëm, kreu i Qeverisë theksoi se "OKB me agjencitë e saj ka renditur të dytin në botë sistemin e prokurimeve publike në Shqipëri".
"Janë dy vende që kanë sistemin e prokurimeve 100 për qind elektronike, Singapori dhe Shqipëria. Ndërsa vendet e tjera e kanë në përqindje të ndryshme nga 20 në 80 për qind", tha kryeministri Berisha.
Ai e konsideroi këtë një arritje madhore historike, në përpjekjen e Shqipërisë për të luftuar korrupsionin në këtë vend. "Vendi që 5 vjet më parë ishte ndër më të korruptuarit e planetit për prokurimet, sot vlerësohet si vendi i dytë në botë për sa i përket transparencës së këtij procesi", tha kryeministri Berisha.
Sipas kryeministrit, "në vjeshtën e vitit 2008, qeveria vendosi të trajnojë të gjitha autoritetet kontraktuese të vendit për të proceduar me prokurimet elektronike, ndërsa prokurimet manuale u ndaluan tërësisht nga 1 janari 2009".
Arritja e një standardi të tillë, sipas kreu të ekzekutivit, "është një inkurajim i madh në betejën tonë kundër korrupsionit".
Në përfundim, ai siguroi se "shumë shpejt të gjitha blerjet e vogla dhe ankandet do të jenë elektronike, si forma më transparente e punës”.
Shtuar më 10/05/2010, ora 16:18
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori