Berisha: Rikthimi i PBDNJ në qeveri, i mundur
Kryeministri Sali Berisha
Në një konferencë nga Gjirokastra, kreu i qeverisë shqiptare komenton zhvillimet më të fundit politike. Ai lë të hapur mundësinë e kthimit të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ne qeveri, forcë e cila përfaqëson minoritetin grek në Shqipëri. Po ashtu, Berisha flet edhe për letrën e fundit të komisionerit për Zgjerimin Stefan Fyle i cili i kërkoi zgjidhjen e krizës politike...


Në media ka dalë letra e dërguar nga komisionari për Zgjerimin Stefan Fyle. Si e komentoni atë?

Kryeministri Berisha: Ata, të cilët përdorin letra, në mendjen e tyre si argumente për të mos u angazhuar në zgjidhjen e problemeve, gabojnë shumë rëndë. Ajo është një letër, e cila fton kompletimin e reformës zgjedhore. Kryetarit të opozitës i është thënë harto çdo amendament që dëshiron për zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që të kesh siguritë më maksimale dhe qeveria t’i votojë ato tërësisht, pa asnjë modifikim, me një kusht që të marrë një opinion në Komisionin e Venecias apo nga OSBE/ODHIR. Kryetari i qeverisë i ka ofruar kryetarit të opozitës konsensusin maksimal, total, të paprecedent në historinë e Europës, ku nuk gjendet kurrë një qeveri që t’i thotë opozitës merr shkruaj amendamentet dhe ti votoj unë. Këtë e bëj se unë udhëhiqem nga respekti për opozitën. Këtë mund ta bëj, po lepurin nga barku, zotit Rama, nuk mund t’ia heq, të jem i sinqertë.

Pyetje: Si do të zgjidhet ngërci për Gjykatën Administrative. A e cënon kjo biznesin?

Kryeministri Berisha: Ajo që ka ndodhur me krerët e opozitës shqiptare në raport me këtë projekt, unë ju garantoj se nuk ka ndodhur ndonjëherë në ndonjë vend tjetër, në historinë e bashkëpunimit të USAID-it dhe kjo është gjëja më e papranueshme. Agjencia Amerikane e Ndihmës dhe Zhvillimit Ndërkombëtar ka zbatuar në këtë vend me qindra e mijëra projekte, me një total mbi 700 milion dollarë, që të gjitha taksa të qytetarëve amerikanë, dhuratë për qytetarët shqiptarë, por të gjitha të bazuar në një vendim të qeverisë amerikane dhe në një ligj të Kongresit Amerikan. Zoti Edi Rama, me një akt që do ta quaja jashtëzakonisht të papranueshëm, refuzoi të votojë kërkesën insistuese, miqësore të një ligji për të cilin është punuar me ekspertët më të mirë amerikanë dhe europianë, dy vjet rresht. Zoti Rama, e theksova dje dhe e theksoj sërish, gabon në mënyrë fatale, kur mendon se mund të mashtrojë shqiptarët dhe se çdo simite që nxjerr, shqiptarët do ta pranojnë. Ai u tha shqiptarëve se nuk voton ligjin se nuk do t’i bëjë dhuratë Sali Berishës një sistem drejtësie. E kam theksuar dhe theksoj se ky është ofendim që ai u bën qytetarëve shqiptarë, se ai besoj se këta qytetarë mund t’i mashtrojë, mund të shfrytëzojë valët e ekraneve për t’i mashtruar e t’u thotë çdo gjë. Dua t’ju rrëfej një gjë interesante. Vjet, Presidenti Barack Obama iu drejtua Organizatës së Kombeve të Bashkuara me një fjalim shumë të bukur. Pasi foli për rrezikun nuklear e terrorizmin, u tha audiencës se SHBA-të qëndrojnë shumë pas lirive të njeriut, drejtësisë së pavarur, e cila, dua të jem i sinqertë, në rast se nuk do të ishte në vendin tim, nuk do të isha duke folur sot, para jush. E vërteta është se të mendosh se SHBA-të do të investonin paratë e taksapaguesve të tyre për të ngritur këtu një sistem të varur nga kryeministri, ky është një mendim jashtëzakonisht naiv, për të mos thënë primitiv. Atë projekt SHBA-të po e ndërtonin këtu, për të luftuar korrupsionin. 4 vite më parë, ne kemi rënë dakord me qeverinë amerikane që projektet kryesore të Pragut të Mijëvjeçarit të adresohen në luftën kundër korrupsioni. Dhe u vendos prokurimi elektronik, taksa elektronike, sporteli i vetëm për regjistrimin e biznesit, që të gjitha kanë dhënë një rënie dramatike të korrupsionit dhe Gjykata Administrative. Kjo, sepse kur shkon nëpunësi dhe i kërkon para biznesit, nëse do të ketë Gjykatën, problemin biznesi e zgjidh duke mos i dhënë asnjë qindarkë, por në Gjykatë. Gjykata ishte për t’i dhënë fund arbitraritetit. Më duhet të them se këtë vendim e mbajti absolutisht në besnikëri të verbër të etërve të tij, sepse të kthehet një vendim, ndihmë bujare për qytetarët shqiptarë, të taksapaguesve amerikanë, të votuar nga qeveria e Kongresi Amerikan me pretendimin se po i dorëzon drejtësinë Sali Berishën, vetëm etërit e tij shpirtërorë mund të përdorin broçkulla të tilla për t’u justifikuar. Përkundrazi, është shëmbëlltyra që e lejon të marrë vendime të tilla, që e lejon të presë ndihmat për qytetarët shqiptarë, sepse realizimi i këtij projekti bën të mundur Statusin Kompakt, i cili do të thotë qindra milion dollarë ndihma për infrastrukturën, për qytetarët shqiptarë. Së dyti, po të bëhej kjo Gjykatë, ta harrojë se do t’i paguante kush 20 përqind, lepujt merrnin fund, nuk kishte më sekserë të shkonin dhe t’u jepnin 20 përqindëshin për bashkinë, sepse do t’u thoshin, jam në ujdi me pronarin e tokës dhe je i detyruar të më japësh lejen për zhvillim dhe shkon në gjykatë. Në Tiranë nuk jepen lejet, mbahen në xhepa dhe pasi fillon ndërtimi, në përputhje me kontratën që ndërtuesit kanë me pronarin, atëherë u shkojnë lepujt dhe u thonë që të vazhdoni më tutje, duhet të paguani 20 përqindëshin. Sepse po t’ua thoshin që në fillim, tjetri do të hezitonte. Apo siç është edhe puna e 35 kateve. Ndaj ky përbën një akt jashtëzakonisht të papërgjegjshëm. Por unë jam këtu edhe një herë për t’i bërë thirrje ta votojmë ligjin me urgjencë. Ju garantoj se qeveria e SHBA-ve, nëse do kishte vërejtjen më të vogël për ligjin, do t’i thoshte qeverisë shqiptare se ekspertet kërkojnë që ligji të ketë 1, 2, 3 apo 4 ndryshime, por nuk na është kërkuar zyrtarisht asgjë e tillë. Jam unë, që i ka përcjellë ambasadës amerikane qëndrimin tonë që zoti Rama të paraqesë çdo amendament për këtë ligj, ne ia votojmë. Por zoti Rama e ka mendjen tek etërit shpirtërorë, d.m.th tek ajo shtëpia që shikoni aty poshtë [në Gjirokastër]. Ai i qëndroi besnik etërve, nuk mund ta bënte kurrë atë, nuk mund ta bënte pas 20 vitesh, pas qindra e mijërave projekteve të suksesshme. Kjo është e papranueshme.

Pyetje: Në minoritet flitet për lidhjet tuaja me strukturat politike brenda PS-së dhe akuzoheni se mbështesni një krah të PS-së. Si e komentoni këtë?

Kryeministri Berisha: Ju ishit dje me mua në Derviçan dhe aty ishte i gjithë minoriteti, i të gjitha bindjeve, socialistë, demokratë, të Omonia-s, të PBDNJ-së. Askush nuk i nxori me detyrim, por respekti i tyre për këtë qeveri, e cila po investon në minoritet më shumë se të gjitha qeveritë e tjera të marra së bashku, e cila po punon me ndershmëri të madhe që të ketë një infrastrukturë moderne në këtë zonë, në mënyrë që minoritarët të kthehen e jo të ikin. Minoritarët e jo vetëm ata, por të gjithë shqiptarët kanë nevojë jetike për lëvizje të lirë e kjo ëndërr po realizohet, për shkolla, energji elektrike që të jetojnë si njerëz dhe ne këtë po bëjmë, për rroga e pensione dhe nuk ka qeveri tjetër që t’i ketë rritur më shumë, sesa kjo qeveri. Ndaj ishte i gjithë Derviçani atje. Ata ishin atje, se gjejnë mbështetje te qeveria. Ne respektojmë totalisht dhe tërësisht liritë politike të shqiptarëve. Zoti Ksera është bashkëpunëtori im i vjetër e nuk mund të them se zoti Ksera u bë ministër për inat të këtij apo atij.

Pyetje: Kryetari i bashkisë së Himarës, Vasil Bollano deklaroi në media se nuk përjashton mundesinë rikthimit në koalicion me PD.

Kryeministri Berisha: E ke parë si është bërë bregu? Ai e kupton se ku janë interesat më të mëdha të qytetarëve që përfaqëson, por në mënyrë absolute, nga ana ime, ka vetëm një ndërhyrje, në rrugë ujësjellës, kanalizime, shkolla, investime, rroga e pensione.
Shtuar më 10/10/2010, ora 21:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori