Berisha: Reformat sollen vendimin per liberalizimin e vizave
Albeu.com
Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i qeverisë Berisha e ka cilësuar vendimin e komisionerëve të Komisionit Europian për heqjen e vizave si një nga vendimet më të rëndësishme për vendin.Në fjalën e tij, kryeministri tha se marrja e këtij vendimi është rezultati më i mirë i reformave të ndërmarra nga qeveria. "Shprehim mirënjohje të thellë për vendet që ranë dakord për rekomandimin se kanë dëshmuar akt të dashamirësisë të padiskutueshme ndaj nesh", u shpreh ai.

Kryeministri deklaroi se procesi për të arritur deri në këtë vendim nuk ka qenë i thjeshtë. "Deri para 5 vjetësh, Shqipëria ishte një vend që ngjallte frikë. Në mediat e huaja qarkullonin të dhëna tronditëse për krimin e organizuar në vend. Nuk ishte e thjeshtë eleminimi i këtyre bandave", theksoi ai. Berisha vlerësoi veprimtarinë e Prokurorisë, Gjykatën e Krimeve të Rënda, Shërbimeve Inteligjente , pasi bënë të mundur që krimi të përballet me ligjin.

Sipas kryeministrit, nëse nuk do shembej muri i korrupsionit, vizat do ishin një iluzion.

Duke iu referuar zgjedhjeve të 28 qershorit, Berisha tha se nuk pati asnjë fakt për manipulim të zgjedhjeve. "Këto zgjedhje ishin autostrada për procesin e heqjes të vizave", pohoi ai.

Kryeministri tha se do plotësohen në kohë maksimale edhe 3 kriteret e vëna nga KE për heqjen e vizave për Shqipërinë. "Ne kemi autorizimin e qytetarëve shqiptarë për të marrë çdo vendim për lëvizjen e lirë. Do financohet gjithçka që ky proces të finalizohet", shtoi ai.

Kreu i qeverisë tha se garanton ata që duan të bllokojnë këtë proces, se heqja e vizave do finalizohet me sukses. Duke iu referuar grevës së PS-së, Berisha tha se ajo u organizua në kohën kur pritej vendimi për vizat. "Grupe të caktuara bënë gjithçka për të penguar procesin. Greva u zgjodh në praga të një vendimi historik. Ftoj Ramën të bashkëpunojmë në procesin e integrimit të vendit", tha ai.

Sipas tij, vendimi për grevën nuk u mbështet nga asnjë tjetër, përveçse Ramiz Alis. "Ramiz Alia është një xhelat , ndodhet në kapitujt më të zi. Ai është xhelat se nuk zbërthehetpër masakrën e Tivarit. Parlamenti duhet të qendrojë për masakrën e Tivarit. Ai duhet të përgjigjet për këtë krim monstruoz. Gjithçka u bë me miratimin e tij", nënvizoi kryeministri.
Shtuar më 31/05/2010, ora 14:33
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori