Ristani: Kokëdhima ka përfituar fonde nga buxheti në 150 raste
UPDATE - Këshilli i Mandateve është mbledhur sot rreth orës 18:30 për të diskutuar kërkesën e Partisë Demokratike për heqjen e mandatit për deputetin socialist Koço Kokëdhima.

Mbledhja u zhvillua me dyer të hapura dhe me praninë e medias.

Deputeti Kokëdhima nuk ishte i pranishëm në këtë mbledhje, por përfaqësohej nga avokati i tij

Opozita ka kërkuar heqjen e mandatit të deputetit Kokëdhima, pasi sipas tyre Kokëdhima ka përfituar nga fondet publike për kompaninë e tij Abissnet gjatë kohës që ka qenë duke ushtruar funksionin si deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Sipas nenit 70 të Kushtetutës në pikën 3 të këtij neni, thuhet se “deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor, dhe as të fitojnë pasuri prej tyre”.

Arben Ristani, u shpreh se Kokëdhima ka përfituar fonde nga buxheti i shtetit në të paktën 150 raste.

"Rasti i deputetit Kokëdhima është më i rëndë se ai i deputetit Beqaj pasi janë me qindra raste. Në analizat e kryera rezulton se deputeti Kokëdhima përmes shoqërisë “Abissnet sh.a” ka përfituar fonde publike në kundërshtim me ligjin. Kokëdhima ka shprehur se këtë kompani e ka shitur. Në fakt kjo përputhet nga QKR. Ne kemi dyshime të arsyeshme se shitja është bërë me anë të një kontrate jo noteriale dhe është bërë pas bërjes publike të skandalit të vjedhjeve të fondeve publike. Është e provuar nga Thesari i Shtetit se “Abissnet” ka përfituar fonde nga buxheti në më të paktën e 150 rasteve”, tha Ristani

16:20 - Teksa pak orë na ndajnë nga mbledhja e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve për të diskutuar rreth kërkesës së PD për t'i hequr mandatin deputetit Koço Kokëdhima, Berisha ka reaguar përmes një postimi. Në rrjetin social Facebook, ai bën me dije se mbledhja do të shtyhet.

"Edvin Kristaq Rama shtyn heqjen e mandatit të sivllaut të tij, kryeministrit dhe kryemafiozit të jugut Kokëdhima!!

Të dashur miq, Edi Rama, pasi e ka shtyrë dy muaj me radhë heqjen e mandatit të sivllaut te tij Koço Kokëdhima, për marrje në shkelje flagrante të Kushtetutës, neni 70, të pasurive publike, ai e shtyu përsëri.

Me këtë akt antikushtetues, Edi Rama dhe Ilir Meta, njeriu që akuzohet se ka paguar vrasjen e dy deputetëve, vendosin haptas Parlamentin dhe pushtetin e tyre të krimit në funksion të mbrojtjes së kriminelëve, që për t'u pasuruar shkelmojnë çdo nen të Kushtetutës dhe ligje të vendit.

Koço Kokëdhima, sivllau i Edi Ramës, që mbahet si kryeministri dhe kryemafiozi i jugut, është bërë famëzi për babëzinë e tij për ndërtimet pa leje në kundërshtim me ligjet në zonen e bregut dhe në Tiranë, për borxhin dhjetëra milionë dollarë që nuk i paguan shtetit, për tavanet e shkollave që rindërton dhe që bien mbi kokat e vogëlushëve, për bandën e tij që po vjedh dhjetëra milionë në naftën e vendit dhe si pikë mjalti apo strehë e pedofilëve në punësimin e tyre, si sekretari personal i tij, rasti i Agron Canës, apo në mediat e tij!

Çdo ditë që ky kriminel, që ka dhunuar në mënyrë flagrante Kushtetutën për t'u pasuruar në mënyrë antikushtetuese, është dominim i hapur i krimit mbi ligjin themelor dhe Parlamentin e vendit, është sundim i krimit!!", përfundon reagimin ai. /albeu.com/
Shtuar më 06/04/2015, ora 19:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori