Berisha: Qeveria ime, me 14 ministra
Albeu.com
Kryetari i PD-së zbuloi dje disa nga misteret për qeverinë që ai do të drejtojë, si dhe programin për 100 ditët e para. “Kriteri kryesor për ministër, ai profesional. Prani e fortë e gruas në kabinet” thote Berisha.Në rast se Komisioni Qendror i Zgjedhjve do të shpallë PD-në fituese të zgjedhjeve parlamentare 2005, atëherë përbërja e qeverisë së ardhshme do të jetë krejtësisht profesionale. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka siguruar dje në emisionin “Opinion” në Tv “Klan” se kriteri politik për përbërjen e qeverië së ardhshme është tejkaluar tashmë.“Unë mendoj se kriteri politik është tejkaluar. Do të jetë kriteri profesional”, - tha Berisha, duke shtuar se për këtë çështje do të negociohet me aleatët. Kryetari i opozitës siguroi se një pjesë e përbërjes së qeverisë së ardhshme do të jetë gruaja. Kjo, sipas Berishës, do të jetë një pjesëmarrje e rëndësishme. Lideri i opozitës nuk cilësoi ndonjë emër të veçantë, veçse siguroi se prania e gruas do të jetë me e madhe sesa pjesëmarrja e saj në garën për deputete. “Numrin e kam të vështirë që ta them, por në rast se nuk arrita të realizoj atë qëllim që kisha në mazhoritar me kandidimin e tyre, asgjë nuk më pengon në kabinet për të pasur një prani të fortë të tyre në kabinetin e ardhshëm. Jam i bindur se edhe aleatët do të më mbështesin. Sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme. Shqiptarët votuan ndryshimin dhe ndryshimi do të jetë një prani dinjitoze e gruas shqiptare në këtë kabinet”, - tha Berisha. Kryetari i opozitës nuk përmendi asnjë emër të qeverisë së ardhshme, duke shtuar se ky është objekt diskutimi edhe me aleatët. I pyetur nëse nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, do të jetë kryetarja e ardhshme e Kuvendit, Berisha u përgjigj: “Ajo është një politikane e shkëlqyer, por do të jetë apo jo, këtë nuk e di”, - tha ai. Të njëjtin qëndrim Berisha mbajti edhe kur u pyet nëse Sokol Olldashi do të jetë ministri i ardhshëm i Rendit. Në këto kushte, Berisha siguroi se opozita ka numrin e mjaftueshëm për të formuar qeverinë e re. Lideri i opozitës theksoi se ajo ka 76-78 mandate të sigurta. Një deklaratë tjetër e rëndësishme e Berishës ishte edhe shkurtimi i portofoleve qeveritare. Berisha tha se numri i ministrive do të jetë 14 nga 18 që është aktualisht. Por kryetari i opozitës nuk përmendi asnjë emër ministrie që do shkurtohej edhe pse u pyet mjaft për këtë çështje. Ndërkohë ai bëri të ditur se përveç aleatëve të deklaruar në qeverinë e ardhshme të drejtuar prej tij, do të ftohen edhe tri parti të tjera, ku ai përmendi PBDNJ-në, PDS-në e Milos dhe ndonjë tjetër.

100 ditët qeverisjes
Kryetari i Partisë Demokratike bëri publike edhe pikat kryesore të asaj që ai e ka cilësuar; “100 ditët e qeverisjes së tij”. Berisha siguroi se 100 ditët e qeverisjes do të fokusohen në premtimet që ai ka bërë. “Kam premtuar se do të instaloj kuadrin ligjor Task-Forcë, transparencën kundër korrupsionit. Kjo do të thotë që do të hiqet kolektivisht imuniteti. Do të amendohen ligjet e konfliktit të interesit, prokurimeve publike… Do të publikohet në ëeb dhe në media e tërë veprimtaria që ka të bëjë me shpenzimet. Do të krijohen zyrat e informimit të qytetarëve”, - tha Berisha. Ai siguroi se do të vendoset një bashkëpunim i ri me mediat. “Nëse do të mbaj një zyrë për shtypin, nuk do ta mbaj kryesisht për imazhin tim, por do ta mbaj kryesisht për të studiuar gjithçka që shtypi sjell në vëmendje, sepse burimi i informacionit të shtypit është i pazëvendësueshëm, është pasuri jashtëzakonshme për çdo qeveri që do të jetë e përgjegjshme, transparente para qytetarëve. Kështu që unë do të vendos një raport të ri me shtypin. Do të vendos një linjë direkte telefonike me kryeministrin, me Task-Forcën, sikundër do të ketë edhe për ankesat, sikundër do të ketë një linjë direkte, do t’i sugjeroj edhe Avokatit të Popullit, edhe prokurorit të përgjithshëm një linjë direkte.....”, - tha Berisha

Korrupsioni
Ndërsa në lidhje me luftën kundër korrupsionit, Berisha tha se do të përqendrohej me të gjithë potencialin e tij si drejtues i ekzekutivit në luftën kundër korrupsionit. “Nuk kam ndërmend të shpall amnesti dhe të amnestoj abuzimet. I takon drejtësisë që edhe ajo të japë kontributin e saj. Në rast se gjyqtari apo prokurori shikon se kërkohet të dënohet një biznesmen që bën një evazion në vlerë prej 20 000 ose 30 000 eurosh dhe nuk dënohen ata, të cilët bëjnë evazione në vlerë prej 100 milionë, atëherë humbet morali i dënimit. Jam i sigurt se do të kthehet moraliteti i të së drejtës. Ndonëse ka probleme serioze, jam i sigurt se do të mund të funksionojë në përputhje me ligjin”, - u shpreh Berisha. Sipas tij, në dallim nga çdo vend tjetër, ku ekziston korrupsioni, në Shqipëri korrupsioni është shtruar në sistem. “Raporti i fundit i Bankës Botërore fakton se nga 1996-a e deri më sot është rritur 300 për qind. Shteti ligjor ka rënë në mënyrë dramatike. Në Shqipëri është shfaqur ajo që quhet "State capture", pra pengëzimi i shtetit. Mendoj se ky kancer duhet të luftohet me shpejtësi dhe eficiensë. Mendoj se beteja kundër korrupsionit duhet të zhvillohet në një sërë drejtimesh. Së pari, mendoj se beteja do të fillojë me kabinetin dhe Parlamentin e ardhshëm. Në këtë drejtim, Parlamenti do të votojë njëlloj sikur voton Bundestagu javën e mbledhjes së tij, heqjen e imunitetit në mënyrë që imuniteti të mos mund të përdoret si mburojë për korrupsionin. Do të amandohen të gjitha ligjet e konfliktit të interesave. Do të bëhen përpjekjet për një transparencë të plotë të shpenzimeve publike, duke i dhënë akses të plotë shoqërisë civile dhe mediave në kontrollin e këtyre shpenzimeve. Një përpjekje e madhe do të bëhet për shembjen e monopoleve të ngritura mbi karriget e qeveritarëve. Monopolistë të mëdhenj u rrëzuan nga pushteti, ndonëse derdhën miliona të shumtë për të blerë votat. Në këtë kontekst do të bëhet një luftë e jashtëzakonshme kundër bandës. Mund të them se sot vetëm një e katërta e naftës së importuar doganohet. Nga një milion doganohen vetëm 250 000 tonë. Kjo është edhe me ushqimet dhe artikujt e tjerë. Unë jam optimist se për gjashtë muajt e parë ne mund të japim një rezultat konkret për luftimin e këtij armiku të egër, kanceri që po e rrënon qenien dhe materien shqiptare”,- përfundoi Berisha.
N.Perndoj, Shekulli
Shtuar më 08/07/2005, ora 13:06
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori