Berisha: Propozimet e PS, të bëhen në rrugë zyrtare
Pëlqej
Kryeministri Sali Berisha
Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se propozimet e opozitës duhen bërë në rrugë zyrtare. “Ne jemi të hapur për çdo propozim”, theksoi Berisha teksa u pyet për letrën që i është dërguar sot nga kreu i opozitës Edi Rama. Ai, u shpreh se është në pritje të propozimeve konkrete në rrugë institucionale. Kryeministri Berisha prit sot në një takim Zëvendëssekretaren e Përgjithshme të Këshillit të Europës, Zonjën Maud de Boer Buquichio. Zonja Maud de Boer Buquichio e përgëzoi Kryeministrin Berisha për arritjen e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, liberalizimin e vizave dhe theksoi se ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Europës vlerësoi reformat dhe masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe shprehu gatishmërinë dhe mbështetjen e Këshillit të Europës për të bashkëpunuar edhe në të ardhmen me qeverinë shqiptare, me qëllim thellimin e reformave në këtë fushë. Zonja Buquichio rikonfirmoi vullnetin e Këshillit të Europës për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit me qeverinë shqiptare, me fokus të veçantë në konsolidimin e reformave legjislative në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës, në fushën e drejtësisë, në luftën kundër korrupsionit dhe në forcimin e shtetit ligjor.

Kryeministri Berisha, pasi theksoi reformat dhe masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit, e falënderoi Zonjën Maud de Boer Buquichio për asistencën që Këshilli i Europës i ka dhënë Shqipërisë në vite në hartimin e legjislacionit dhe në mënyrë të posaçme për luftën ndaj korrupsionit dhe pastrimit të parave dhe në rritjen e transparencës së financimit të partive politike. Kryeministri Berisha e siguroi zonjën Buquichio se qeveria shqiptare mbetet e vendosur në luftën e saj me vullnet të hekurt dhe tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si interesi më i mirë për qytetarët shqiptarë.

Gjatë takimit, Kryeministri e njohu zonjën Buquichio edhe me zhvillimet politike në Shqipëri. Kryeministri theksoi se është në pritje të propozimeve konkrete, në rrugë institucionale në lidhje me çështjet e ngritura nga opozita, si dhe siguroi se mazhoranca mbetet e hapur dhe e përkushtuar për të trajtuar çdo propozim të opozitës me seriozitet dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Kryeministri gjithashtu vuri në dukje ofertën e mazhorancës që opozita të ketë të drejtën e hartimit të amendamenteve të Kodit Zgjedhor, në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare, me kushtin e vetëm që ato të jenë të certifikuara nga Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR. Ai e njohu zonjën Buquichio me ofertën e fundit bërë opozitës, në lidhje me të drejtën e kësaj të fundit për të propozuar kandidatë për Avokatin e Popullit.
Shtuar më 23/11/2010, ora 16:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori