Berisha: Prioriteti i qeverisë, zgjedhjet lokale të lira
Sali Berisha
Kryeministri Sali Berisha bëri të ditur sot në mbledhjen e qeverisë se mbajtja e zgjedhjeve lokale të 8 majit dhe zhvillimi i mëtejshëm i turizmit do të jenë prioritete të qeverisë për vitin 2011. Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e qeverisë, Berisha tha se qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet maksimale për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.

“Garantoj shqiptarët se do të votojnë të lirë s qytetarë europianë. Dua të pranoj se zgjedhjet lokale komplikojnë sezonin turistik pasi është e pashmangshme që përqëndrimi më madhor i të gjithë qeverive vendore të jenë të fokusuara tek fushata më shumë se çdo gjë tjetër”, shtoi Berisha.

Ai ka vënë në dukje se është e domosdoshme ngritja e një komiteti ndërministror i cili do të funksionojë që nga kjo javë dhe ka për qëllim marrjen e masave të nevojshme në mënyrë që vendi të mos gjendet në ndonjë befasi gjatë sezonit turistik.

Berisha kërkoi nga Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve që të nisë parapërgatitjet për sezonin turistik duke informuar komitetin ndërminstror për çdo përgatitje. Kreu i qeverisë tha se përparësi e madhe do t`i jepet ndërtimit të segmenteve rrugore drejt parqeve si dhe organizimit të tureve turistike.
Shtuar më 19/01/2011, ora 12:49

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori