Berisha pret presidentin e Fondacionit ’Robert Schuman’
Pëlqej
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim presidentin e Fondacionit Robert Schuman, Dominique Giuliani, i cili shoqërohej në këtë takim edhe nga ambasadorja e Francës në Tiranë, Maryse Daviet.

Kryeministri Berisha e njohu zotin Giuliani me zhvillimet në Shqipëri, reformat e gjithanshme të ndërmarra nga ana e qeverisë shqiptare, përmbushja e të cilave bëri të mundur si anëtarësimin e vendit në NATO, ashtu edhe heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Gjatë takimit Kryeministri Berisha u ndal veçanërisht në reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe e njohu zoti Giuliani me rezultatet e arritura në këtë fushë.

Kryeministri Berisha shprehu falënderime dhe mirënjohje për ndihmën që Fondacionit Robert Schuman dhe qeveria franceze kanë dhënë në proceset integruese të Shqipërisë, ndërsa theksoi se për qeverinë shqiptare çdo hap drejt integrimit evropian duhet të jetë tërësisht i bazuar në performancë e meritë. Kryeministri u ndal edhe në Progres Raportin për Shqipërinë për vitin 2010, për të cilin u shpreh se tashmë është në traditën e qeverisë shqiptare që ky raport të shndërrohet në një program pune, në interesin më të mirë të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Berisha theksoi, gjithashtu, se qeveria shqiptare ka ndërmarrë një fushatë të gjerë informimi të qytetarëve shqiptarë për të qartësuar të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga liberalizimi i vizave.

Nga ana e tij, presidentin e Fondacionit Robert Schuman, Dominique Giuliani, e falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe e përgëzoi atë për arritjen e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, liberalizimin e vizave.

Giuliani vlerësoi arritjet e qeverisë shqiptare gjatë këtyre viteve të fundit dhe i shprehu Kryeministrit Berisha mbështetje nga ana e Fondacionit Robert Schuman në proceset e mëtejshme integruese të Shqipërisë, siç është integrimi në Bashkimin Evropian.
Shtuar më 26/11/2010, ora 09:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori