Lë takim me pedofilët dhe i demaskon, rrëfehet gazetarja: Njëri prej tyre është arrestuar sot

Gazetarja e “Piranjave”, Aida Topalli, e cila demaskoi tre pedofilë në puntatën e së martës në emisionin investigativ që ka nisur në Abc, tregoi se njëri prej tyre është arrestuar. “Nertili është arrestuar sot nga drejtoria e Policisë së Fierit. Uroj që të arrestohen dhe dy të tjerët, Shkëlqimi dhe Ardiani”, tha ajo në “Abc e mëngjesit”.

Pas Fazliut nga Prizreni, Kristianit nga Lezha, këtë radhë në gjurmët e “Keisit”, personzhit imagjinar të rrjeteve sociale, pas të cilit fshihet gazetarja e “Piranjave” ranë dhe Nertili nga Fieri, polic Shkëlqimi dhe Ardiani nga Korça. Duke folur për rastin e Fazliut nga Prizreni, gazetarja tha se nuk ishte një emër i panjohur për policinë.

“Mesa kam kuptuar, Prizreni e njihte për rrezikshmërinë që kishte për vajzat e vogla. Njerëzit na duartrokitën dhe thoshin shumë ia bëtë. Ishte një personazh i njohur, kishte pasur dhe raste të tjera. Kolegët e Kosovës kanë marrë dhe dëshmi të vajzave të mitura”, tregoi ajo.

E pyetur nga moderatori nëse ka frikë, ajo tha: “Frikë nuk kam por çfarë nuk pret nga këta njerëz. Kur ngacmojnë seksualisht një fëmijë mund të presin të të ndjekin. Kur e dinë rrezikun, mendoj se e logjikojnë mirë atë pjesë dhe nuk do ta bëjnë. Nëse bëjnë 3 vite për pedofili do të bëjnë dhe disa të tjera për kërcënim”.

“Fazliu ishte divorcuar, Kristiani ishte i varfër dhe nuk punonte por priste vetëm ndihmë sociale nga shteti. Këto lekë që kishte i harxhonte në Tiranë për raste të tilla. Nertili ishte 35 vjeç, dhe ishte shumë e rëndë. Ardiani ishte po ashtu i vetmuar dhe me Shkëlqimin jemi habitur sepse në dukje kishte një familje të rregullt.

Na është shprehur se i pëlqente vajzat e shkollës”, tregoi ajo. “Të njëjtën gjë bëjnë të gjithë duke çuar video dhe foto. Jemi shtangur të gjithë se si kaq lehtë dërgojnë foto dhe video me fytyrë dhe të organeve gjenitale. Nga çfarë vuajnë këta njerëz?”, tha gazetarja.