Berisha: PD do të ketë kandidatin e saj për President
Kryeministri, Sali Berisha ishte i ftuar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, gjatë të cilit bëri një analizë të zhvillimeve demokratike në vend, ku protagonist kryesor ka qenë sigurisht ai vetë, si kryetar i PD-së, si ish-president i vendit dhe tashmë shef i qeverisë shqiptare.

Por, intervista e gjatë e Kryeministrit nuk mund të mos kishte në fokus të saj, edhe debatet aktuale të politikës së ditës, mes tyre, edhe çështjen e Presidentit të Republikës. Berisha përsëriti sërish se PD do të ketë kandidatin e vet, një nga figurat kryesore të saj për këtë post, por nuk pranoi të japë një emër për këtë garë.

Nisur nga komentet mediatike për investimin e ambasadorëve të huaj në këtë çështje, ai shtoi se zgjedhja e kreut të shtetit shqiptar është një çështje shqiptare.

Kreu i qeverisë tha se nuk është normale që debatet për presidentin e ri, të bëhen gjatë kohës që ai presidenti aktual është në detyrë, por shtoi se fakti që Bamir Topi ka deklaruar krijimin e një partie të re, ka bërë që edhe mediat të jenë të perfshira kaq herët në këtë çështje. Duke pasur parasysh partinë e re të zotit Topi dhe Aleancën Kuq e Zi, Berisha u shpreh se duke i mbështetur këto, Rama si gjithnjë po jep një ndihmë në fitoren e PD-së në zgjedhje.

Ndërkohë, Kryeministri Berisha deklaroi se Rama po dëmton vetë PS. Sipas tij, ai organizoi sulmin e turpshëm ndaj institucioneve të shtetit me 21 janar.

Njëkohësisht, në vlerësimin e kreut të qeverisë, Rama kërkon që PS-në ta kthejë në parti të pasardhësve të bllokmenëve.
Shtuar më 22/03/2012, ora 23:58

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori