Berisha: Pas zgjedhjeve, ndryshime në qeveri
Albeu.com
PDK shpërblehet, pasi shpëtoi rrëzimin e Jozefina Topallit. Kryeministri: Do përfshihen në të gjitha nivelet e qeverisjes.

Deklarata për ndryshimet në qeveri pas zgjedhjeve lokale, është shpërblimi politik që Kryeministri Sali Berisha i ka bërë PDK-së. Kryeministri e ka lançuar lajmin për rikompozimin e qeverisë në të gjitha nivelet me demokristianët në një konferencë për shtyp. Vendimi i kreut të Ekzekutivit ka ardhur një ditë pas votës së PDK-së kundër mocionit për rrëzimin e kryeparlamentares Jozefina Topalli. Partia Demokristiane ka treguar realisht që është partia e cila mban çelësat e balancave, po të kemi parasysh mocionin e Topallit, i cili ra poshtë me 77 votat e mazhorancës. Nëse do të hiqeshin 8 votat e Partisë Demokristiane, mazhoranca do të ngelej me 69 vota dhe si rrjedhojë Topalli do të rrëzohej nga drejtimi i parlamentit, gjë që do të rrezikonte së shpejti edhe kabinetin qeveritar. Ky realitet i ri forcash dhe shkërmoqja e Grupit parlamentar të Partisë Agraro Ambientaliste kanë detyruar Berishën të pranojë atë çka PDK përfaqëson tani në realitetin parlamentar shqiptar. Kjo gjë pritet të materializohet me prezencën e saj në qeveri, menjëherë pas zgjedhjeve lokale. Këto ndryshime duket se kanë dy synime. Synimi i parë lidhet me rikompozimin e qeverisë mbi bazën e ripozicionimit të forcave. Ndërsa synimi i dytë është rifreskimi i kabinetit, duke larguar ministra, të cilët kanë zhgënjyer me performancën e tyre gjatë më shumë se 15 muajsh në kabinetin qeveritar. Gjatë seancës së ditës së hënë, deputeti agraro ambientalist, Nikollaq Neranxi, u shpreh se grupi parlamentar i PAA-së nuk ekziston më, duke kërkuar shkrirjen e tij. Këto kanë qenë edhe arsyet që kanë shtyrë Kryeministrinë të rikompozojë qeverinë pas zgjedhjeve lokale. Lideri i demokratëve ka treguar se këto ditë do të nënshkruhet edhe marrëveshja bashkëqeverisëse me demokristianët. Faktin që ndryshimet do të bëhen pas zgjedhjeve lokale, Kryeministri e ka argumentuar me idenë se tani nuk është kohë rikompozimi për shkak të dy faktorëve. "I pari është buxheti, cili mori në parlament një vlerësim pozitiv, por për të cilin diskutimet vazhdojnë. E dyta, janë zgjedhjet", tha ai. Berisha theksoi se rikompozimi nuk është vetëm i qeverisë, por i qeverisjes në të gjitha nivelet.

Pyetjes nëse Berisha do t‘i bënte ndryshimet, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, Kryeministri i është përgjigjur se "marrëveshja është marrëveshje dhe nuk ka lidhje me rezultatin e zgjedhjeve". Gjatë konferencës për shtyp, kreu i qeverisë ka sulmuar edhe kreun e socialistëve. "Pensioni politik ishte për Nanon dhe ia arrita qëllimit, ndërsa Ramën do ta nxjerr në pension të lirë", tha Berisha. nga Erjon Ajazi, Gazeta Shqip

Shtuar më 16/11/2006, ora 08:30
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori