Berisha: Nuk pretendojmë Shqipëria e madhe
Albeu.com
Kryeministri Sali Berisha, në fjalën që ka mbajtur në Sesionin e 62-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në Nju-Jork ka ritheksuar edhe një herë qëndrimin e Shqipërisë në lidhje me statusin e Kosovës, duke mbështetur paketën "Ahtisari". Ashtu siç pritej, pjesa më e madhe e diskutimit të Kryeministrit ka qenë për çështjen e pavarësisë së Kosovës. Ai u ka kujtuar të pranishmëve në këtë asamble, se zgjidhja e statusit të Kosovës për pavarësi duhet të behët në përputhje të plotë me vullnetin e qytetarëve të saj. Berisha ka theksuar se ky është kushti themelor për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm, jo vetëm në Kosovë, por për të gjithë rajonin. Shqipëria ka thënë Berisha, mbështet plotësisht projektin e Presidentit Ahtisari, dhe përpjekjet e Trojkës për zgjidhjen e statusit final të Kosovës. "Për shkak të mungesës së realizimit dhe fantazmës së Serbisë së Madhe, Beogradi nuk pranoi planin e Presidentit Ahtisari, i cili përcakton dhe garanton standardet më të larta evropiane për minoritetin serb në Kosovë, të cilat janë më të avancuara se ato që gëzojnë shqiptarët në jug të Serbisë", është shprehur në fjalën e tij Kryeministri shqiptar. Me tej ai ka thënë se refuzimi i paketës së Ahtisarit është i padobishëm dhe provon se Beogradi është më tepër i interesuar për Serbinë e Madhe, sesa liritë dhe të drejtat e serbëve në Kosovë. Një qëndrim i tillë i Beogradit është inkurajuar nga qëndrimi i Rusisë në Këshillin e Sigurimit ndaj paketës së Ahtisarit, një qëndrim, që pavarësisht motivacionit të saj, nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon. Gjithashtu Kryeministri shqiptar tha se pretendimet se pavarësia e Kosovës përbën një precedent ndërkombëtar, se krijon kushtet për Shqipërinë e Madhe, apo frikën e dy shteteve shqiptare në Ballkan janë të pabaza. Sipas tij ata që janë të interesuar për realitetin dhe të vërtetën duhet të kuptojnë se Kosova është një rast unik, si nga ana historike dhe nga perspektiva aktuale. Duke kujtuar shkurtimisht një pjesë të historisë Berisha ka deklaruar se "për më shumë se pesë shekuj, nga fundi i shekullit XIII deri në fillim të shekullit XIX, Kosova ka qenë pjesë e Perandorisë Otomane, e banuar nga shqiptarë etnikë, me rrënjët dhe vendbanimet e tyre atje. Vetëm në fillim të shekullit të kaluar, në një nga padrejtësitë më të mëdha historike, territori i Kosovës u nda nga territoret shqiptare dhe iu dha Serbisë, për të vetmen arsye sepse ishte pjesë e një perandorie që humbi luftën". Berisha tha se Kosova është gjithashtu një rast unik në vuajtjen e saj. Gjatë shekullit të kaluar, implementimi i doktrinës së Cubrilovicit, e bazuar në racizmin ekstrem dhe zhdukjen e shqiptarëve, e ktheu Kosovën në arenë të spastrimit etnik dhe aparteidit. Është një rast unik, sepse gjenocidi i fundit kundër shqiptarëve në vitin 1999, i cili shkaktoi me mijëra vrasje të popullsisë së pafajshme, varre masive, shkatërrime dhe djegie të më shumë se 130 mijë shtëpive, shkollave dhe spitaleve dhe kjo bëri që NATO-ja të ndërmarrë ofensivën më të madhe për të mbrojtur të drejtat njerëzore dhe liritë atje. Pretendimi se pavarësia e Kosovës mund të çojë në krijimin e Shqipërisë së Madhe nuk është i vërtetë. Në realitet, pavarësia e Kosovës vetëm do t‘i japë fund fluiditetit të shqiptarëve në Ballkan dhe idesë së krijimit të një shteti të vetëm shqiptar në territoret ku ata përbëjnë shumicën dërmuese. E vërteta është e thjeshtë, tha Berisha, shqiptarët e Kosovës kanë vendosur në projektin e tyre të së ardhmes që të bashkohen me Brukselin dhe jo me Tiranën. Nga ana tjetër, ai ka garantuar se, Shqipëria është e vendosur që të respektojë plotësisht kufijtë ndërkombëtarë të fqinjëve të vet, duke përfshirë edhe kufijtë e Kosovës. Unë, tha Berisha, besoj se shqetësimi ndaj konceptit për dy shtete të pavarura shqiptare në Ballkan është ksenofobik. Dy shtete demokratike, të banuara nga shqiptarët, do të jenë dy vende mike për fqinjët e tyre. G. Shqip
Shtuar më 29/09/2007, ora 11:38
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori