Berisha: Nuk kam asnje draft per zgjidhjen
Albeu.com
"Në tryezën time nuk ekziston asnjë draft tjetër, asnjë pakt tjetër, asnjë dokument tjetër nga asnjë institucion europian apo perëndimor për zgjidhje të situatës. Kjo ka qenë fjala e kryeministrit Sali Berisha duke iu referuar ...... deklaratave të fundit se palët politike kanë në tryezë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike të cilën duhet ta pranojnë.

"Bashkimi Europian ka bërë të qartë se situatën duhet ta zgjidhin shqiptarët. Garantoj BE-në dhe çdo institucion tjetër se në Shqipëri ekzistojnë mekanizmat ligjorë për t'i dhënë zgjidhje këtij problemi. Gjithçka tjetër është gënjeshtër e bazuar në mashtrim", sqaroi ai.

Në një konferencë për shtyp, kreu i qeverisë tha se "Në tryezën e Presidentit, Komisioni Presidencial ka sugjeruar që të ngrihet Komisoni dhe t'i drejtohet Komisionit të Venecias. Ishte Presidenti që refuzoi Komisionin e Venecias dhe unë e mbështeta. Kryeministri nuk i drejtohet Komisionit të Venecias pasi duhen respektuar vendimet e gjykatave".

Pyetjes se çfarë mendon kryeministri për deklaratën e ambasadorit të OSBE-së, Robert Bosch një ditë më parë se PD-PS kanë në tryezë një marrëveshje dhe liderët duhet të tregohen krerë shteti dhe ta pranojnë, Berisha iu përgjigj " Në axhendë nuk kam deklaratat e këtij apo atij ambasadori. Edhe kur një diplomat ka bërë diplomacinë e megafonit kam thënë se unë nuk bëj diplomacinë e megafonit. Axhenda ime përjashton deklaratat për diplomatët".

Berisha ftoi kryesocialistin Rama të pranojë zgjidhjet e ofruara nga Byroja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe Komiteti Presidencial. "Kjo deklaratë mundëson transparencë të plotë dhe respektim të Kushtetutës, vendimeve të Kushtetueses dhe pavarësisë së gjykatave. Ky është një dokument në interes të gjitha forcave politike. E ftoj Ramën të bashkëpunojë në përputhje me deklaratën e Komisionit Evropian, transparencë me Kushtetutën e vendit", tha ai.

Kryeministri Berisha tha se në Shqipëri ekzistojnë të gjitha mekanizmat për transparencë të plotë.
Kreu i qeverisë pohoi se sa i përket hapjes të kutive të materialeve zgjedhore do vendosë Komisioni i ngritur për hetimin e zgjedhjeve. "Kodi elektoral ka përcaktuar për kutitë e materialeve, për fletët e votimit, mjafton ta zbatojmë atë. Nuk ka nevojë t'i themi njëri-tjetrit faleminderit për asgjë. Kemi krijuar komision, i ka përcaktuar shteti ligjor të gjitha", tha ai.

Duke folur për grevën e opozitës, Berisha garantoi shqiptarët se qeveria do respektojë dhe garantojë lirinë dhe të drejtat kushtetuese, përfshi protestimin edhe pse greva është e paligjshme . "Për sa kohë grevistët do rrinë në grevë, do respektohet. Kjo mërzit qytetarët dhe trafikun e Tiranës.
Kjo është në kundërshtim me ligjin, por për këtë të përgjigjen ata që kanë marrë vendimin për të ngirtur kampin e ngujimit në aortën e Tiranës.
Ai i ka bërë apel kreut të PS-së Rama që të lejojë ekipet shëndetësore zyrtare të kontrollojë grevistët. "Edhe ata që lëndojnë edhe ata që këndojnë duhet të mjekohen", u shpreh ai.

Sa i përket takimit vjetor të BERZH, Berisha tha se në samit deklaroi se Shqipëria ndjeu pasojat e krizës financiare. "Por këtë vit ka një rritje me 140% të eksporteve. Në këtë rritje, 45% e saj i detyrohet energjisë, por mbi 90% ështe e palidhur me energjinë, tha ai.

Kryeministri shtoi se në një kohë kur vendet e tjera njoftonin për rënie të ekonomisë, ai deklaroi se qeveria shqiptare do të vijojë rritjen e pagave e pensioneve.
Shtuar më 15/05/2010, ora 16:04
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori