Berisha: Nuk eshte dhene asnje ultimatum
Albeu.com
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se në darkën e Strasburgut me kreun e PS-së Rama, në prani të ndërkombëtarëve, nuk është dhënë asnjë ultimatum nga këta të fundit.
Në mbledhjen e qeverisë Berisha i është rikthyer sërish darkës në restorant "Krokodil", duke iu përgjigjur deklaratave të një dite më parë të kreut socialist Edi Rama, ku bënte thirrje për zgjidhje të krizës brenda afatit të caktuar nga ndërkombëtarët.

Kryeministri Berisha theksoi se takimi ishte pozitiv dhe nga ndërkombëtarët nuk pati asnjë ultimatum.

"Ju garantoj se nuk ka pasur asnjë ultimatum. Një procesi zgjedhor të ndershëm, nuk mund të imagjinojë kush të japë ultimatume. Çdo interpretim i kësaj natyre, është primitiv. Ne jemi qeveri legjitime, e dalë nga zgjedhjet më të mira në historinë e vendit", tha Berisha.

Kryeministri tha gjithashtu se është i gatshëm të shkojë në një takim të ngjashëm në çdo moment. "Takimi në Strasburg ishte qartësisht pozitiv. Ishin miq të Shqipërisë që me preokupimin pozitiv më ftuan mua dhe zotin Rama për të shqyrtuar problematikën. "Shkova, shkoj dhe do shkoj pa asnjë problem. Kundërshtarin nuk e marr për armik. Rruga më e papranueshme në rrafshin politik është ta marrësh kundërshtarin si armik", shtoi ai.

Ndër të tjera, në mbledhjen e qeverisë, kryeministri ka vlerësuar dhënien e çmimit të dytë nga OKB për administratën shqiptare për prokurimet elektronike. "Ky çmim vjen si rezultat i vlerësimit shumë pozitiv të procesit elektronik të prokurimeve në Shqipëri", tha Berisha.
Sipas Berishës, me prokurimin 100% elektronik është bërë përmirësim i dukshëm në performancën e administratës së vendit.

Kreu i qeverisë ka falenderuar punonjësit e administratës dhe autoritetet kontraktuese të vendit që morën trajnimin me seriozitet dhe u adaptuan me një praktikë elektronike të prokurimit. "Mirënjohje e veçantë i shkon SHBA-së që në programin e pragut të mijëveçarit pranoi projektet e pëzgjedhrua nga ne, taksa elektronike, prokurimi elektronik, one stop shop, që rrisnin në shkallëm maksimale transparencën", theksoi ai.
Shtuar më 26/05/2010, ora 12:55
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori