Berisha njofton rritje dyshifrore të ekonomisë
Albeu.com
Kryeministri Berisha ka njoftuar se Shqipëria gjatë 6 muajve të parë të këtij viti ka shënuar një rritje ekonomike mbi 10%, për herë të parë në dy dekadat e fundit.
Ky njoftim vjen pak ditë pasi Banka Botërore e klasifikoi Shqipërinë si vendin e dytë në botë për ritmin e reformave në ekonomi. Ekspertë të ekonomisë pranë opozitës janë skeptikë për këto shifra.

Kryeministri është ndalur në një fjalim të gjatë për të komentuar ato që i quajti suksese të mëdha të ekonomisë shqiptare. Këto komente të kryeministrit vijnë në një kohë që në vend është rritur tensioni politik pas vdekjes në rrethana ende të pasqaruara të biznesmenit Kosta Trebicka.

Opozita hedh dyshime se ai është vrarë për të penguar zbulimin e së vërtetës mbi shpërthimin e Gerdecit dhe tregtinë e armëve. Partia Socialiste e opozitës u ka bërë thirrje forcave të majta për t’u bashkuar në organizimin e protestave popullore kundër qeverisë për atë që po e quan tronditje të themeleve të shtetit.

Edhe një pjesë e shtypit ka hedhur dyshime të forta se pas vdekjes së biznesmenit Trebicka fshihen segmente të lidhura me qeverinë. Policia ka thënë se vdekja ka ardhur aksidentalisht dhe se deri tani nuk ka shenja për vrasje.

Kritikë të qeverisë thonë se vrasja e biznesmenit ka ngjallur frikë dhe ka ndrydhur nismat për të denoncuar korrupsionin. Ndërkaq në një numër ekranesh televizivë kryeministri Berisha u bën thirrje qytetarëve me nje spot të përditshëm që të denoncojnë rastet e korrupsionit. (BBC)
Shtuar më 17/09/2008, ora 20:00
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori