Berisha në Pustec: Rruga afron Shqipërinë me Maqedoninë
Kryeministri Berisha vijon turin e inagurimeve të veprave publike. Sot kreu i qeverisë mori pjesë në inagurimin e rrugës në komunën Pustec në Korçë për të cilën theksoi se kjo ka një rëndësi shumë të madhe jo vetëm për banorët e kësaj komune por edhe për Korçën.

“Rruga shkurton tre herë distancën e fshatit me Korçën, distancën e Korçës me Prespën, distancën e turistëve që vizitojnë Prespën. Rruga përmbush premtimin tonë për lidhjen e komunave me akset kombëtare. Por kjo rrugë ka në rëndësi të veçantë pasi bashkon dy vendet tona mike, Shqipëria dhe Maqedonia. Unë i garantoj pakicës maqedonase se politika ime mbetet bashkëpunimi miqësor në të gjtiha fushat me vendin mik, në interesin e të dyja vendeve, kombeve dhe të rajonit në tërësi” tha Berisha.

Në fjalën e tij Berisha nuk la pa sulmuar edhe kryesocialistin Rama që sipas tij ka penguar marrjen e statusit duke mos votuar 3 ligjet e kërkuara nga Brukseli.

“Këto tre ligje mbajnë peng statusin e vendit kandidat me të cilin ju do të përfitoni, Prespa do të kishte qindra mijëra turistë më shumë, fermerët subvensionet shumë herë më të mëdha. Shqipëria do të përfitonte dhe çdo qytetar qindra milionë euro investime të cilat do të transformonin më tej infrastrukturën tonë. Por demokracia funksionon në Shqipëri. 23 qershori po afron dhe jam i bindur që shqiptarët me mençuri do të votojnë për forcën që u provua gjithë këto vite si lokomotivë e vërtetë zhvillimi. Do të votojnë ndaj atyre që shndërruan në realitet premtimin e tyre, do të votojnë për Partinë Demokratike e cila programin e saj e ka të drejtuar te familja, te liria e individit, tek respekti i ndërsjelltë. Ndaj dhe ju ftoj ju që të gjithë shqiptarët që ta shndërrojmë këtë fushatë në fushatën më të bukur, të punojmë së bashku për vizionin e shkëlqyer të 4 viteve që do të vijnë. Ne jemi ndryshimi përpara” tha me tej Berisha. /albeu.com/
Shtuar më 01/05/2013, ora 12:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori