Berisha në Korçë, nxitje për biznesin artizanal
Në kuadër të takimeve me qytetarët, Kryeministri Berisha u ndal sot në një biznes të vogël artizanal të drejtuar nga një grua, në qytetin e Korçës, për të inkurajuar dhe përgëzuar guximin e grave shqiptare sipërmarrëse.

“Unë shpreh respektin më të madh për punën e shkëlqyer që bëni. Ju meritoni me të vërtetë të konsideroheni duararta sepse ju shkrini me talentin tuaj një gjeni krijuese shekullore të shqiptarëve.” iu drejtua kryeministri grave dhe vajzave të punësuara aty, teksa pa nga afër punimet artistike të bëra me dorë nga këto punonjëse.

Kryeministri dëgjoi me interesim kërkesën për zgjerimin e tregut të shitjes së këtyre prodhimeve edhe në kryeqytet dhe premtoi se në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë së Tiranës do të gjenden format më të përshtatshme të investimit për tregje artizanale apo lokale të ndryshme.

Kryeministri tha se turizmi e zhdërvjelltëson tregun artizanal, duke e shumëfishuar atë dhe duke i dhënë një dimension të ri. Në këtë kontekst, kryeministri propozoi që në qytetet me frekuentimin më të lartë turistik, të ofrohen lokale gjatë sezonit turistik, në mënyrë që punimet të kenë përparësi në shitje.


"Unë shpreh respektin më të madh për punën e shkëlqyer që bëni. Ju meritoni me të vërtetë të konsideroheni duararta sepse ju shkrini me talentin tuaj një gjeni krijuese shekullore të shqiptarëve. Puna artizanale që bëni ka gjithnjë vlerën e jashtëzakonshme të punës artistike dhe unë dua tu rrëfej një moment këtu. Unë kam kaluar kohëra në vende shumë të zhvilluara, si psh kam kaluar kohë në Francë dhe në vende të tjera, por dua tu garantoj se punë të tilla kudo kanë vlerësimin më të madh, kudo tregohen me krenari të veçantë, kudo preferohen si një gjë e veçantë dhe shumë e bukur. Në asgjë më bukur, një komb dhe një popull, sesa në punën e dorës, sesa në artizanat, nuk shpreh trashëgiminë e tij gjeniale, kulturore, artistike. Në çdo motiv të qëndismave tuaja, të qilimave, të sixhadeve shprehet ajo trashëgimi artistike që është përcjellë breza pas brezi dhe që pasurohet edhe më shumë" tha Berisha.

Në këtë biznes janë të punësuara 70 gra dhe vajza, shumica prej të cilave punojnë nga shtëpitë e tyre. /albeu.com/
Shtuar më 01/05/2013, ora 17:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori