Berisha në Korçë: Alternativa e PS, akuza e bllokim
Kryeministri Berisha ishte sot në inaugurimin e impiantit të përpunimit të ujërave të zeza në Korçë. Gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni, kreu i qeverisë u shpreh se me këtë impiant Korça hyn në hartën e qyteteve më të pastra të Europës dhe botës.

“Me këtë impiant Korça hyn në hartën e qyteteve më të pastra të Europës dhe botës. Pas infrastrukturës rrugore, infrastruktura ujore është e të njëjtës rëndësi. Furnizimi i qytetarëve me ujë të pijshëm, trajtimi i ujërave të zeza pëbën një nga përpjekjet tona më të fuqishme për realizimin e Shqipërisë së zhvilluar. Zotohemi se do t’i bëjmë ujërat tona, ujërat më të pastra që mund të ekzistojnë. Do ti’ rikthejmë ato në pastërtinë e tyre natyrale. Do t’i bëjmë të pastra, siç është vetë Korça dhe mjedisi shqiptar. Ne synojmë krijimin e vendeve të punës në qytet, fshat dhe kudo. Kjo është alternativa jonë, e cila ka shumë djersë, mundime, sakrifica, por një gjë është e sigurt, ajo ka sukses dhe kjo është e faktuar. Ne i mbajmë premtimet tona, mund të ndodhë ndonjëherë një shtyrje në kohë, por ju garantoj se kurrë nuk i lemë pa realizuar ato”- u shpreh kryeministri Berisha.

Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij nuk ka lënë pa sulmuar edhe kundërshtarin e tij politik se nuk votoi 3 ligjet për tu bllokuar shqiptarëve statusin.


“Duke ju ftuar ju të zhvillojmë së bashku fushatën më dinjitoze për ju, vlerat tuaja, vlerat e shqiptarëve, ju bëj thirrje që në 23 qershor të mendoni cila është alternativa e PD-së dhe koalicionit të saj dhe hidhni sytë në alternativën tjetër. Ajo është, akuza akuza, shpifje shpifje, bllokime dhe bllokime. Ata nuk votuan 3 ligjet për tu bllokuar shqiptarëve statusin, ata nuk kanë votuar për marrjen e vizave, bënë gjithçka për të bllokuar marrëveshjen e stabilizim-asocimit, por ne e firmosëm atë. Ata nuk votuan për ndërtimin e unazës së Korçës, ndërtimin e këtij impianti, ndërtimin e landfillit së shpejti, por në i ndërtuam dhe do t’i ndërtojmë ato. Ata nuk pendohen me bllokimet e tyre sepse nuk kanë interesat tuaja. Programi ynë është i qartë, bëjmë gjithçka për një mirëqenie më të mirë. Kemi rritur rrogat, pensionet. Në të gjitha rastet është unike në Europë dhe bote se opozita voton kundër rritjes se rrogave dhe pensioneve. Në çdo vend të botës, opozita bën betejën më të madhe që të rrisë edhe më shumë përqindjen e rritjes se rrogave dhe pensioneve.”- deklaroi kryeministri.

Impianti i përpunimit të ujërave të zeza në Korçë është një investim me vlerë 37,5 milionë euro, për shtrimin e afro 80 km tubacione kanalizimesh për impiantin e trajtimit të ujit të ndotur, me kapacitet që t’i shërbejë 105,000 banorëve.
Shtuar më 17/05/2013, ora 12:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori