Berisha në Durrës: PS asnjë kontribut për integrimin e vendit
Sali Berisha
Pas manifestimit të djeshëm në Tiranë, Partia Demokratike prezantoi sot në Durrës kandidatët për deputetë në këtë qark.

Kreu i mazhorancës, Sali Berisha, ndërsa ka prezantuar skuadrën e tij para qindra e mijërave qyterëve të mbledhur në sheshin “ Taulantia” , i vlerësoi ata si uraganin e fitores së 23 qershorit në këtë qark dhe mbarë vendin.

Procesi i integrimit dhe punësimi i shqiptarëve ka qenë kryefjalë e Kryeministrit, ndërsa ka akuzuar Partinë Socialiste dhe liderin e saj se në 22 vite demokraci nuk kanë asnjë kontribut në proceset integruese të Shqipërisë.

Nga Durrësi, Kryeministri është zotuar se qeveria e tij pas heqjes së vizave me Europën, përmes reformave do të heqë vizat edhe me SHBA.

“Për çdo shqiptar asgjë sështë më jetike se integrimi ynë në Europë. Durrësi është dëshmitari, gardiani i vokacionit perëndimor shqiptar, në këtë port kanë vërshuar flukset e kombit drejt vendeve të zhvilluara. Të vish këtu në ditën e Europës pasi ke bllokuar për ditë me radhë dhe të betohesh për Europën ose është Natradin ose hipokrit i pa shpresë. Me histori duhet të merremi vetëm aq sa n duhet për të parë më mirë përpara. Si ka mundësi 22 vjet me radhë të gjitha ngjarjet e mëdha të integrimit të lidhen vetëm me emrin e PD. Ne nuk kemi qenë 22 vjet në pushtet, kemi njohur pushtetin dhe opozitën, por kemi qëndruar në mbështetje të fuqishme të integrimit. Si ka mundësi që kjo parti në 20 vite nuk ka qoftë një firmë të vetme drejt botës perëndimore. Të vish në Durrës dhe të betohesh për Europën në një kohë kur në Tiranë bllokon votimin e tre ligjeve është hipokrizi. Ata janë alternativa e trillimit, ndaj dhe ne të ecim përpara. Me reforma të thella hoqëm vizat për Europën, me reforma të thella do heqim vizat me SHBA dhe ju do lëvizni të lirë në mbarë botën. Ne na besojnë, jemi seriozë, u besojnë idealeve dhe punës suaj. Asgjë s’do të pengojë rrugën tonë drejt integrimit, punësimit dhe mirëqënies” tha Berisha.

Duke vendosur në qendër të programit dhe fushatës qytetarin, kreu i qeverisë garantoi se punësimi i tyre mbetet qëllimi më madhor i programit ekonomik të PD.
“Jam këtu për tu zotuar para jush se këta kandidatë për deputetë të PD dhe koalicionit për “Punësim Mirëqënie dhe Integrim” do kenë për parti ju qyetarët e Durrësit dhe qyettarët shqiptarë. Për ne ju jeni dhe mbeteni të parët e më të parëve. Në gjithë programin tonë ne ju kemi ju në epiqendër, vlerat e mëdha që ju mbartni, ato janë frymëzimi ynë, programi ynë i madh për të ecur përpara. Me 23 qershor këtu në Durrës, Konispol, Gjirokastër, Kukës, Shkodër e Tropojë, Vlorë e Sarandë dhe mbarë Shqipërinë përballen dy qëndrime, përballet alternativa jonë e bazuar në vlerat më të mira, liritë, familjen, kombin dhe integrimin. Kjo alternativë na udhëhoqi ne në këto 20 vite, mundi dhe djersa juaj dhe e emigrantëve, reformat tona bënë të mundur të ngrihemi nga mjerimi dhe të ecim të sigurtë në rrugën e presporitetit. Alternativa jonë konsideron punën dhe punësimin bekimin më të madh për cdo shqiptar. Ne shkojmë në këto zgjedhje me programin më të shkëlqyer. Në kulmin e një krize Shqipëria ia doli në mos bjerë në reçesion, në këto vite Shqipëria arriti të marrë më shumë investime të huaja dhe të krijojë vende të reja pune. Kemi marrë miliona turistë. Këto vite ne nisëm të mbështesim fuqishëm fermat shqiptare, janë mbështetur me projekte 42 000 projekte. Punësimi juaj, punësimi i të papunëve është qëllimi më madhor i programit tonë ekonomik” tha Kryeministri.

Përballë alternativës së vlerave, vijoi më tej Berisha, është e pozicionuar alternativa pa ide me fjalë e trillime, e cila sipas shefit të selisë blu po tenton të mërzisë zgjedhësit dhe të ngjallë dëshpërim tek ta.

“Cila është alternativa tjetër? E rritjes së taksave, shkatërrimit të vendeve të punës, e punës për qeverinë. Alternativa e tyre është pa ide, me fjalë, trillime dhe mashtrim. Edi Rama përdor mashtrimin që të mërzisë zgjedhësit, të ngjallë tek ata dëshpërimin sic ka shpirtin vetë” përfundoi ai.

Lista e kandidatëve për deputetë të PD për qarkun e Durrësit kryesohet nga Ministri i Drejtësisë Eduart Halimi, ndërkohë që pjesë e garës së përbashkët si koalicion është dhe ish eksponenti i PS, Agron Duka, i pari në listën e PR për Durrësin.

Ja kandidatët e PD për Durrësin:

1. Eduard Halimi
2. Gent Strazimiri
3. Albana Vokshi
4. Igli Cara
5. Oerd Bylykbashi
6. Osman Metalla
7. Vullnet Topalli
8. Lufter Xhuveli
9. Kseanela Muderizi
10. Zamir Ramadani
11. Merita Bakiu
12. Arjan Dedej
13. Mirlinda Çeka
Shtuar më 14/05/2013, ora 23:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori