Berisha në Delvinë: Rama do të bëjë Agjencinë e pronave me Koçon
Në turin e tij elektoral në jug të vendit, Kryeministri Berisha është ndalur mbrëmjen e sotme në Delvinë, ku prezantoi dhe kandidatët për deputetë.Në një distancë jo të largët me rivalin e tij politik, pasi edhe ai gjendet në Vlorë, Berisha ka shkëmbyer akuza e kundërakuza në distancë lidhur me pronat në bregdet, duke i bërë të qartë Ramës se pretendimet për zaptime të pronave nga qeveritarët janë të pabaza, pasi sipas Kryeministrit ozurpuesin e bregdetit e ka krahun e tij të djathë.

“Alternativa tjetër bazohet kryekëput në mashtrimin, shpifjen dhe trillimin. Ditë më parë ishte këtu kryetari i autobusit mavi, ai u zotua se do krijonte agjenci të posacme për pronat, por mos harroni se në krah kishte Kocon, ti japësh pronat Kocos është njësoj si të varësh mëlçitë e qengjit në qafë të ujkut. Cili qeveritar ka një pronë në bregdet, cili zyrtar i lartë ka, që rri e flet poshtë e përpjetë në mitingje. Të kujtoj këtu që gënjeshtra është dobësia më e madhe e burrit, është mungesë karakteri. I nderuar shoku mavi, ka një njeri që rri në krah tëndin që ka zaptuar Himarën me gradacela dhe ka zënë detin, ai është Koco Kokëdhima. Le të lëmë mënjanë sharjet e tij ordinere dhe të padenja, të lëmë mënjanë shpifjet e kazanit, mohimet e tij” tha Berisha.

Duke dashur të distancohet nga stili i të bërit fushatë të Ramës, Berisha ka qenë i prerë në porosinë e lënë për banorët e Delvinës, kryesisht biznesin dhe fermerët.
“Dy gjëra mos lini mënjanë se janë të rrezikshme, zotimi për të ulur një taksë dhe rritur një tjetër. Taksa e të dhjetave është taksa e të gjitha kohërave, është taksa e drejtë, është taksa e librave të shenjtë, taksa mbi të cilat ndërtohet një shoqëri e lirë. Shoku i autobusit premton heqjen e një takse, TVSH për 5 ushqimet bazë. E bën këtë që të krijohen monopolet e ushqimeve, detyra e cdo qeverie është që të bëjë gjithçka që fermerët dhe bizneset vendas të pasurohen sa më shumë, por dhe të mbrojë prodhimet e tyre me cdo mënyrë” theksoi ai.

Kreu i Aleancës për Punësim Mirëqënie dhe Integrim ka ftuar qytetarët të përqafojnë alternativën e djathtë për të cuar përpara zhvillimin e vendit, ndërsa garantoi përmbylljen e çështjes së tapive brenda këtij viti. Kryeministri nuk ka qenë i rezervuar edhe në premtimet për mandatin e ardhshëm , duke garantuar vazhdimësi të investime për këtë zonë.
“Alternativa jonë është ajo e zhvillimit. Brenda këtij viti feremerët do të kenë tapinë e tokës pa përjashtim. Në 4 vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka që në bashkinë e Delvinës, në të gjitha fshatrat përreth, të ndërtojmë infrastrukturë moderne, të ndërtojmë çdo kilometër rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla, sistem vaditje.Ne do të bëjmë çdo gjë të përmirësojmë më tej klimën e bizneseve. Ne do të bëjmë çdo gjë që burimet tuaja natyrore të kthehen në vlera dhe pasuri për ju, të tërheqim në Delvinë sa më shumë investime të huaja dhe vendase, të vazhdojmë së bashku për të rritur më tej rrogat, pensionet, punësimin dhe mirëqenien tek çdo delvinjot. Një mesazh të përzemërt fermerëve të këtij rrethi – sigurinë time për mbështetje të plotë. Jam këtu për t’u zotuar se financimet tona do të trefishohen dhe se sistemi i ri i vaditjes do të ndërtohet në të katër anët e këtij rrethi, si dhe sistemi i kullimit do të përsoset. Katër vitet që vijnë janë vendimtare për Delvinën e zhvilluar. Zotohem para jush se vitin e ardhshëm do të nisin punimet e rrugës Delvinë – Muzinë dhe do të përfundojë në afatin më të shkurtër rruga Kardhiq – Delvinë. Ne do të rindërtojmë të gjithë rrjetin rrugor të bashkisë dhe të fshatrave përreth. Sikundër, për bashkinë e Delvinës do të ndërtojmë një ujësjellës të ri, sapo projekti të jetë gati” ” tha më tej shefi i qeverisë.
Më herët Kryeministri Berisha inauguroi terminalin e hyrjes për anijet cruise (Crocere), në portin e Sarandës, investim me vlerë 480 milionë lekë. Me ndërtimin e kësaj kalate porti aktual i Sarandës shndërrohet tërësisht në një port për pasagjerë e turistë, cfarë pritet te ndikoje drejteperdrejt ne zhvillimin e turizmit ne Sarande dhe me gjere, duke bere te mundur rritjen e ketij bisnesi dhe shtimin e vendeve te punes.

Partia Demokratike e kulmoi aktivitetin elektoral të së dielës në Sarandë, ku edhe prezantoi kandidatët për deputet. Berisha siguroi qytetarët se në katër vitet që vijnë qeveria e tij do të bëjë që Saranda, Delvina, Vlora dhe Shqipëria të krijojë qindra e mijëra vende pune.

“Me uljen e taksave, me përgjysmimin e taksës për industrinë turistike, do të dyfishohet potenciali turistik. Jemi të vendosur të inkurajojmë biznesin dhe investimet e huaja dhe do të bëjmë gjithçka për projekte që do të thithin investime dhe vende pune, dy nga të cilat do të jenë Kaskada e Devollit, investim prej 1 milion euro dhe gazsjellësi TAP prej 1,5 miliardë euro”, – tha kryeministri.

Duke u ndalur tek taksa e sheshtë kryeministri tha se kjo taksë bëri të mundur që Shqipëria të dyfishojë të ardhurat, se u shumëfishuan bizneset, investimet, rrogat, pensionet, rrugët, etj.

Berisha shtoi se “sot çdo mësues, mjek, infermier, merr jo një, por merr së paku 14 rroga më shumë në vit se në 2005. Zhvillimi nuk është rritje e taksave, por zhvillimi vjen nga liria e qytetarëve, liria ekonomike, liria e biznesit dhe liria në tërësi”.
Shtuar më 09/06/2013, ora 22:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori