Berisha merr pjesë në Samitin e Çikagos
Kryeministri Berisha u nis sot për në Cikago të SHBA-se ku do të marrë pjesë në Samitin e 25-të të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), i cili do të zhvillohet në 20 dhe 21 maj, në nivel të kryetarëve të shteteve dhe qeverive.

Delegacioni shqiptar kryesohet nga Kryeministri Sali Berisha dhe në përbërje të tij janë Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, zoti Edmond Haxhinasto, Ministri i Mbrojtjes, zoti Arben Imami dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Në ditën e parë të punimeve, të cilat do të hapen nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, Kryeministri Berisha do të marrë pjesë në sesionin e hapjes së mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC). Gjatë këtij sesioni do të përkujtohen ushtarakët e NATO-s të rënë në krye të detyrës gjatë operacioneve të Aleancës.

Në sesionet në vijim, Kryeministri Berisha bashkë me liderët e tjerë të vendeve anëtare të Aleancës do të marrë pjesë në punimet e takimeve dedikuar Afganistanit dhe zhvillimit dhe forcimit të kapaciteteve të Aleancës. /albeu.com/
Shtuar më 19/05/2012, ora 14:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori