Berisha merr pjesë në konferencën e sigurisë
Kryeministri Berisha merr pjesë në Konferencën e 48-të të Sigurisë e cila zhvillohet në Gjermani. Konferenca e Sigurisë e Mynihut, e themeluar në vitin 1962, ka një traditë të gjatë në diskutimin e politikave të sigurisë dhe është kthyer në evenimentin më të madh botëror në këtë fushë.


Çdo vit ajo bashkon personalitete të larta nga mbarë bota në fushën e politikëbërjes, mbrojtjes, mendimit, biznesit dhe medias, për të diskutuar mbi sfidat me të cilat përballet bota, për të identifikuar sfidat e ardhshme të sigurisë dhe për të gjetur zgjidhjet e tyre.

Në sesione të veçanta të saj, Konferenca do të trajtojë tema të ndryshme si roli i Gjermanisë në Evropë e në botë; energjia, burimet dhe ambienti si parametra të një sigurie të re; ndërtimi i një komuniteti të sigurisë euroatlantike; Amerika, Evropa dhe ngritja e Azisë; kriza financiare dhe konsekuencat e saj për sigurinë ndërkombëtare, etj.

Në këtë eveniment marrin pjesë Sekretarja e Shtetit e SHBA-së, Hillary Clinton, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Leon Panetta, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, zëvendëspresidentja e Komisionit dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE, Catherine Ashton, kryeministri i Italisë, Mario Monti etj. /albeu.com/
Shtuar më 03/02/2012, ora 14:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori