Berisha: Marreveshja e Ohrit, themel i paqes ne Maqedoni
Albeu.com
Shqipëria mbështet stabilitetin dhe integritetin e Republikës së Maqedonisë. Ky ka qenë qëndrimi i kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, pas takimit të së mërkurës me zëvendës-kryeministrin e Maqedonisë, Abdilaqim Ademi në Tiranë.Ai me këtë rast ka theksuar se Marrëveshja e Ohrit është themel i paqes dhe stabilitetit të
Maqedonisë.

"I vlerësoj të gjitha arritjet e reformave që janë bërë në Maqedoni dhe progresin që është shënuar në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, si një marrëveshje që po krijon një themel të fortë për paqen dhe stabilitetin në Maqedoni dhe rajon. Mendoj se zbatimi i plotë është në të mirë jo vetëm të shqiptarëve, por edhe në dobi të mbarë qytetarëve. Për Shqipërinë, për shqiptarët dhe rajonin, paqja, stabiliteti dhe integriteti i Maqedonisë janë me rëndësi parësore dhe interes jetik", ka thënë Berisha.

Edhe zëvendëskryeministri Ademi është shprehur se Marrëveshja e Ohrit paraqet themel të paqes dhe stabilitetit të vendit. "Vlerësim i përbashkët është që paqja dhe stabiliteti janë rruga e vetme, e cila garanton perspektivë euroatlantike", ka thënë Ademi, duke shtuar se qëllimi i përbashkët i të dy vendeve është anëtarësimi në BE.

Zëvendës-kryeministri Ademi të enjten dhe të premten do të marrë pjesë në punimet e Forumit ndërkombëtar Crans Montana, derisa në vigjilje të forumit Ademi do të takohet edhe me zëvendës-kryeministrin grek Theodor Pangalos.
Shtuar më 05/05/2010, ora 19:41
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori