Kokaina e kapur në Portin e Durrësit, Artan Hoxha: Ndërhyrja shpëtoi trafikantët e vërtetë

Gazetari investigativ Artan Hoxha në studion e ABC foli për kokainën nga Ekuadori që u kap në Portin e Durrësit.

“Lënda narkotike ishte e vendosur në pjesën frigoriferikë. Kontejnerët që sjellin banane në Shqipëri nuk janë të zakonshëm. Ajo që ra në sy ishte sasia e vogël dhe kjo do të thotë se është përdorur për të kuptuar se sa e sigurt është rruga.

Kontejneri përpara se të ngarkohet me banane skanohet, i jepet një certifikatë garancie që trupi i kontejner është i pastër , ngarkohet me banane dhe qëndron në port në Gujakil. Gjatë qëndrimit, ndodh ngarkesa, pra ngarkohet në pjesën e jashtme dhe kodet hapen vetëm nga autoritetet portuale dhe komandohet nga jashtë”, tha Hoxha.
Gjithashtu Hoxha u shpreh se në rastin konkret droga në kontejner ishte e montuar nga jashtë dhe hetimi sipas tij nuk duhet të ishte ndalur, por duhet të vazhdonte për të zbardhur se kush është përfshirë në këtë histori.

Sipas gazetarit grupet e trafikantëve kanë realizuar një testim për të parë se sa e sigurt është linja, duke shtuar se kjo ndërhyrje ka shpëtuar trafikantët e vërtetë të kësaj historie.

“Kur është në trup po në pjesën e brendshme dyshimet bien mbi kompaninë dhe kur është në pjesën e jashtme kompania e cila ka produktin brenda jo domosdoshmërisht është përgjegjëse. Në rastin konkret kjo ka ardhur e montuar nga pjesa e jashtme, kjo kompani ka 13 vjet që merret me këtë produkt.
Ndaj besoj që hetimi duhet të vazhdonte për të kuptuar se kush është i përfshirë në këtë histori. Kjo ndërhyrje për mua ka shpëtuar trafikantët e vërtetë në këtë histori”, tha ai.

Më tej theksoi se të gjitha këto operacione dëshmojnë se Shqipëria mbetet një bazë e operacioneve kriminale.

“Kokaina është një biznes global dhe fakti që është kapur kaq shumë, dëshmon se grupet e narkotrafikut kanë garanci. Dhe mbetet për tu parë nëse do të ndryshojnë destinacion”, tha ai./abcnews.al


Shtuar 14.07.2021 12:54