Berisha: Liberalizimi i vizave, liri evropiane
Pëlqej
Kryeministri Sali Berisha
Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në inaugurimin e përfundimit të rikonstruksionit të shkollës së mesme “Myrteza Kepi” në Kuçovë, një investim me vlerë 40 milionë lekë. Kjo shkollë ofron ambiente moderne të mësimdhënies e pajisur me kabinet biologjie, kabinet gjeografie, me dy kabinete informatike, bibliotekë dhe mjedise sportive.

Pas inagurimit, kryeministri Berisha iu drejtua publikut të pranishëm me një mesazh ku ironizoi grevën e urisë së opozitës pak kohë më parë, duke thënë se “liberalizimi i vizave është përgjigja e merituar që Evropa e qytetëruar i bën vlerësimit të madh të reformave të qeverisë; është përgjigja e merituar ndaj të gjithë atyre që me ngujimin e bulevardin e kombit, me letra e raporte, shkrime e trillime, që bënë çdo gjë që kjo ditë të mos vijë”.

Berisha theksoi se ky vendim është besimi më i madh që kombet e Evropës i kanë dëshmuar qytetarëve shqiptarë dhe popullit shqiptar. “Ky është një vendim që prek jetën e përditshme të mbarë të rinjve shqiptarë dhe të qindra e mijëra familjeve shqiptare që mezi presin të përqafojnë e të çmallen me njerëzit e tyre që kanë vite që nuk i kanë parë. Ky vendim bën që liria juaj të bëhet liri evropiane”, tha kryeministri. (albeu.com)
Shtuar më 05/11/2010, ora 16:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori