Berisha kërkon votën e opozitës edhe për ligjin e Gjykatës së Lartë
Sali Berisha
Pas miratimit të ligjit për heqjen e imunitetit, kryeministri Berisha ka kërkuar që opozita të japë miratimin edhe për ligjin për Gjykatën e Lartë.

Duke folur në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të integrimit, kryeministri vlerësoi se këto 6 muaj, që nga miratimi i Planit të Veprimit në datën 21 mars të vitit 2012, është bërë një punë intensive dhe janë realizuar reforma të thella e të mëdha, ndër të cilat, më kryesorja është reforma e imuniteteve, si dhe reforma zgjedhore.

“Këto reforma u miratuan tërësisht me konsensus, çka përbën një arritje të vërtetë. Dua të theksoj se qeveria ka në përmbushje e sipër një seri obligimesh, të cilat duhet që me shpejtësi t`i votojë e t`i zbatojë. Ndërkohë, janë sërish ligje që kërkojnë 3/5 dhe kjo varet nga vullneti i opozitës. Por ne shpresojmë se, siç dëshmoi vullnet për reformën zgjedhore, siç dëshmoi vullnet për kufizimin e imunitetit, opozita të dëshmojë vullnet dhe për ligjin e Gjykatës së Lartë, Ligjit të Shërbimit Civil, por edhe ligje të tjera që, pavarësisht se kërkojnë shumicë të thjeshtë, do të ishte shumë mirë që ato të kishin konsensusin e të gjitha palëve, miratimin e të gjitha palëve" theksoi Berisha. /albeu.com/




Ai tha se "për koeçidencë, kjo reformë u lidh edhe me statusin, edhe pse kjo është një betejë e hershme, e nisur 10 vjet më parë. Por lidhja me statusin ishte gjëja më logjike, sepse të pretendosh të afrohesh me vendet e tjera dhe të refuzosh kufizimin e imunitetit, ky është edhe sinjali më negative që u dërgon këtyre partnerëve dhe bashkëpunëtorëve".

Duke iu referuar vizitës zyrtare të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani në Bruksel dhe takimeve të tij atje me personalitetet më të larta të BE-së, Kryeministri Berisha tha se në këto takime është diskutuar gjerësisht mbi reformat e realizuara në Shqipëri, progresin e tyre dhe perspektivën evropiane të vendit, janë parashtruar të gjitha arritjet në zbatimin e Plantit të Veprimit, sikundër edhe çështje të tjera që duhet të realizohen më tej në këtë proces.

Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se qeveria ka në përmbushje e sipër një seri obligimesh, të cilat po punon që, me shpejtësi t’i votojë e t’i zbatojë.
Shtuar më 21/09/2012, ora 11:43

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori