Berisha: Integrimi në BE projekti më madhor i Shqipërisë
Kryeministri Berisha është takuar sot me të dërguarin e BE-së Miroslav Lajçak ku është diskutuar për çështje të lidhura me hapat e mëtejshëm të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Duke i rikonfirmuar drejtorit Lajçak se integrimi sa më i shpejtë i Shqipërisë në Bashkimin Europian është dhe mbetet projekti më madhor i Shqipërisë gjatë këtij shekulli, Kryeministri Berisha e garantoi atë se qeveria shqiptare po punon intensivisht dhe do të bëj të gjitha përpjekjet për të adresuar kërkesat e këtij procesi, në veçanti rekomandimet e Komisionit Europian, në mënyrë që të përshpejtojë hapat e mëtejshëm drejt realizimit të kësaj ëndrre të qytetarëve shqiptarë.

Në takim u diskutua, gjithashtu, edhe mbi përgatitjet për zgjedhjet lokale të 8 majit. Kryeministri Berisha e risiguroi zotin Lajçak se qeveria shqiptare është e vendosur dhe do të bëj të gjitha përpjekjet për të realizuar zgjedhjet që përmbushin standardet ndërkombëtare, zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Në këtë kontekst qeveria shqiptare dhe partitë e mazhorancës qeverisëse, u shpreh Kryeministri Berisha, mbeten tërësisht të angazhuara dhe po punojnë me seriozitetin maksimal për trajtimin e problematikës së ngritur nga rekomandimet në raportin e OSBE/ODIHR-it, që zgjedhjet e 8 majit të jenë më të mirat të realizuara në Shqipëri.
Shtuar më 22/03/2011, ora 12:27

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori