Berisha fton Ramen te kandidoje
Albeu.com
Kryeministri Sali Berisha ka vijuar në Lezhë turin e takimeve elektorale, duke prezantuar kandidatët për deputetë. Edhe një herë tjetër, Berisha i ka bërë thirrje kreut socialist Edi Rama që të lërë karrigen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe të përballet direkt me zgjedhësit.
“Zoti Rama, unë dhe ti nuk mund t’i kërkojmë kurrkujt kurrë votën në qoftë se nuk e vëmë veten tonë në provë për këtë votë. Prandaj dhe dil, mos ki frikë, sepse qytetarët do të të japin ty dhe mua atë që meritojmë. Ne duhet të jemi të përgatitur për verdiktin e tyre. Mos u fshih pas karriges së bashkisë”-theksoi Berisha.

Kreu i Partisë Demokratike ka shtuar se i lejonte tre ditë kohë Ramës, që të vendoste për kandidimin. “Ftoj kryetarin e bashkisë së Tiranës që të shfrytëzoj rastin që po i jap. I mbeten edhe tre ditë dhe në rast se do, do t’ia ndryshoj ligjin që të dalë në krye të betejës, ashtu siç kërkon rregulli demokratik, ashtu siç kërkon tradita demokratike”-tha më tej Berisha.

Në fund të fjalës së tij, Berisha theksoi se “programi i Shqipërisë evropiane do të shndërrohet në rritje të pagave dhe pensioneve, do të shndërrohet me hapjen e 160 mijë vendeve të reja pune, do të shndërrohet në ujë 24 orë për familjet shqiptare kudo që janë. Dua të garantoj të gjithë banorët e Kodër Marlekajt se ujësjellësi i përfunduar do të inaugurohet shumë, shumë shpejt. Nuk kemi as edhe një ditë kohë për të humbur. Ne notojmë në ujë dhe qytetarët tanë nuk mund të kenë etje për ujë. Ndaj edhe projekti ynë i dytë, pas energjisë, është ujë 24 orë”.
Shtuar më 08/06/2009, ora 15:59
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori