Berisha-emigrantëve: Nëse investoni, 3-5 vite s’do paguani taksa
Sali Berisha
Kryeministrit Berisha ka premtuar nga Gjirokastra se do të sigurojë për katër vitet e ardhshme, 3-5 vite përjashtim nga taksat për cdo emigrant që do vijë të investojë në Shqipëri.

Kryeministri ka premtuar gjithashtu ulje të madhe të TVSH për hotelerinë brenda një harku kohor shumë të shkurtër.

“Ne besojmë te liria juaj. Ne i japim mbështetje të madhe bizneseve, bujqësisë dhe mbi të gjitha punësimit. E tërë hoteleria do ketë ulje të madhe të TVSH në një kohë shumë të shkurtër. Emigrantëve shqiptarë kudo që janë i ftoj të vijnë në Shqipëri, të investojnë në Shqipëri 3 deri në 5 vjet pa asnjë taksë. Kthehuni vëllezër sillini kursimet në vendin tuaj”tha Kryeministri.

E ndërsa rivali i tij politik rritjen e taksave për biznesin e vogël gjatë kohës së tij si Kryebashkiak ia faturoi qeverisë, Berisha i kujtoi Ramës protestat e punonjësve bashkiakë kur Kryeministri ndaloi me ligj rritjen e taksave për këtë biznes.

”Sot pala tjetër deklaroi se nuk ka rritur taskat kur ishte në Bashki. Ai është në autobus, nesër do thotë se nuk ka bllokuar ligjet, pasnesër do thotë se grupi parlamentar s’ka votuar kundër buxhetit për restaurimin e Gjirokastrës, ndërtimit të rrugës, amnistisë për 100 vjetorin. E kanë gjetur zgjidhjen, çmë duhet mua se cfarë them unë, jam në autobus. Po atëherë, o i nderuar zotëri të cilës parti ishin ata që protestuan me uniformë ceremoniale te Kryeministria kur unë ndalova me ligj rritjen e taksave për biznesin e vogël. Shqipëtarët kanë memorie. 23 qershori po vjen dhe shqiptarët do votojnë për punësimin e tyre. Garantojmë 150 000 vende pune, qyetarët do votojnë për Gjirokastrën e turizmit, punësimit, mirëqënies dhe integrimit” u shpreh ai.

Ndërsa garantoi gjirokastritët se deputetët e PD që presin të rimandatohen për këtë qark kanë punuar dhe do vazhdojnë të punojnë për zhvillimin e Gjirokastrës, Kryeministri sulmoi dhe njëherë kandidatët e PS për këtë qark.
“Na takon neve regjistrimi në UNESKO si pasuri e kulturës botërore. Kam kënaqësinë t’ju informoj se çdo projekt për hyrjen e Gjirokastrës, për lumin e Drinos apo qendrën e qytetit, për shkollat, vaditjen e fermerët kanë patur angazhimin e plotë dhe total të përfaqësuesve tuaj, ministrave Genc Ruli dhe Spiro Ksera. Këta do vazhdojnë të jenë ministra të qytetarëve të Gjirokastrës, të gjithë atyre që jetojnë në këtë qark.

Dy fjalë do t’ju them për biznesmenët e Edi Ramës. Së pari të marrim famozin Cacin, ai në mënyrë absolute përvec parave që i ka dhënë Ramës për t'u vendosur në listë s’ka asgjë të përbashkët me ju. Minoritarë mos prisni që ai mund t’ju përfaqësojë, përvec interesave të ngushta e babëzisë së pafundme s’ka asgjë tjetër.

Le të marrim tjetrin të panjohurin, këtu në këtë shesh do sjellim fakte. Në rast se ju i kërkonit njeri-tjetrit t’ju bënte një zile dikur se ju mbaronte krediti në celular Arben Hermsi vidhte në mënyrën më të papërmbajtur Telekomin shqiptar. Këta janë kandidatët e Ramës por le të shohim përpara”, vijoi ai.

Më tej shefi i qeverisë garantoi banorët e këtij qarku se edhe gjatë mandatit të ardhshëm qeveria nuk do ndalë ritmin e investimeve, për të garantuar shërbime cilësore për të gjithë qytetarët e Gjirokastrës.

“Jam këtu për të rikujtuar një premtim timin katër vite më parë, se do shkonit në Tiranë për 2 orë e gjysëm nga qëndra. Katër vitet, ishin vitet e krizës më të thellë për Europën dhe botën, opozita bëri gjithcka për të bllokuar, por rruga u ndërtua dhe brenda fundit të qershorit ju do të mund të udhëtoni më shpejt. Në të katër anët e qarkut kemi ndërtuar me km rrugë, kemi ndërtuar dhjetëra shkolla, qëndra shëndetësore, kemi ivestuar në rrjetin e energjisë elektrike, sistemimin e Drinos, kemi investuar në pasurinë monumentale. Kam kënaqësinë tu informoj se cdo projekt për këtë qark ka patur angazhimin e plotë dhe total të përfaqësuesve tuaj, Ministrave Ruli dhe Ksera. Ju garantoj ju se do ndërtojmë dhe rindërtojmë cdo shkollë. Do bëjmë gjithcka që të merrni ujë 24 orë sic e meritoni. Katër vitet që vinë do trefishojmë grantet për fermerët e Gjirokastrës. Katër vitet që vinë do ti kthejmë Gjirokastrës, Qafë Pazarit, gjithë qëndrës historike gjallërinë e merituar” premtoi Kryeministri.
Shtuar më 20/05/2013, ora 22:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori