Berisha emëron 16 zv.ministra
Albeu.com
Këshilli i Ministrave emëroi dje 13 zv/ministra, tre prej të cilëve janë anëtarë të KOP-it. Keshtuqe nga dje qeveria ”Berisha” është krejtësisht e plotësuar në drejtimin e ministrive, përveç Ministrisë së Jashtme.Këshilli i Ministrave miratoi dje listën e plotë të zv-ministrave, ndërkohë që nuk është bërë asnjë emërim në post zv-ministri në Ministrinë e Jashtme, që drejtohet nga diplomati Besnik Mustafaj. Kryeministri Berisha ka cituar dje secilin prej emrave të zv-ministrave që do të merrnin emërimin, të cilët pa përjashtim i ka cilësuar si kandidatura tepër të kualifikuara. Kështu në postin e zv-ministrit të Integrimit është emëruar Albert Gajo, anëtar i KOP-it. Ky i fundit do të jetë përkrah ministres së Integrimit, Arenca Trashani, në të gjitha hapat që do të ndërmerren për nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së. Në Ministrinë e Brendshme është emëruar si zv-ministër një tjetër ekspert dhe një nga njerëzit më të kualifikuar në PD, Gjergji Lezhja, i cili prej kohësh në PD ka qenë drejtori i Departamentit të Organizimit. Aktualisht Ministria e Brëedshme ka dy zv-ministra tashmë të emëruar, Gjergji Lezhja dhe Ferdinand Poni. Ndërkohë që përflitet edhe një i tretë ende i paemëruar. Petrit Karabina emërohet zv-ministër i Mbrojtjes. Ai është nënkryetar i Partisë së Bashkimit Liberal Demokrat dhe deri para pak kohësh përflitej në postin e zv-ministrit të Jashtëm. Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar mes dy partive pas përfundimit të zgjedhjeve, u vendos që BLD-ja të merrte një post zv-ministri. Po në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar mes PD-së dhe PDR-së është emëruar dje edhe sekretari i Marrëdhënieve me Publikun i PDR-së, Enno Bozdo, në postin e zv-ministrit të Ekonomisë, ashtu siç përflitej prej kohësh. Ndërsa zv-ministri tjetër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është emëruar Gjergji Bojaxhi. Emërime të rëndësishme janë bërë edhe në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit; Stavri Ristani që me sa duket vjen nga shoqëria civile dhe Armand Teliti, i cili ka drejtuar Partinë Demokratike të Durrësit gjatë fushatës zgjedhore. Surprizë ka qenë emërimi i Halit Shamatës në postin e zv-ministrit të Arsimit dhe Shkencës, emër i cili deri më tani nuk përflitej në postet e zv-ministrave. Shamata ka qenë ministër Rendi në vitin ’96 dhe është anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike. Ai ka fituar mjaft vota në kongresin e fundit të PD-së si anëtar i Këshillit Kombëtar. Adriana Kumbaro është zv-ministrja tjetër që emërohet po në Ministrinë e Arsimit. Në Ministrinë e Shëndetësisë përkrah Maksim Cikulit do të jetë Aleksandër Sallabanda, anëtar i komitetit të Politikave Orientuese të PD-së. Ndërsa zv-ministrja tjetër do të jetë Zamira Sinoimeri. Në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta emërohet një tjetër grua, kësaj here kryetarja e Forumit të Gruas Demokrate, Marjeta Zaçe, e cila nuk garoi si deputete në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ndërsa zv-ministri tjetër është Kastriot Sulka. Ndërsa Aldo Bumçi, ministri i Drejtësisë, do të ketë në krah të tij dy ekspertë në fushën ligjore, Eduart Halimi dhe Vladimir Kristo. Zëvendësministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave është emëruar Taulant Bino, një nga ekspertët më të mirë në këtë fushë.


Këshilli i Ministrave miratoi vendime “Për emërim në detyrë”:

Z. Albert Gajo emërohet zëvendësministër i Integrimit

Z. Gjergj Lezhja emërohet zëvendësministër i Brendshëm

Z. Petrit Karabina emërohet zëvendësministër i Mbrojtjes

Z. Gjergji Bojaxhi emërohet zëvendësministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës

Z. Eno Bozdo emërohet zëvendësministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës

Z. Stavri Ristani emërohet zëvendësministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit

Z. Armand Teliti emërohet zëvendësministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit

Z. Halit Shamata emërohet zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës

Znj. Adriana Kumbaro emërohet zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës

Znj. Zamira Sinoimeri emërohet zëvendësministër i Shëndetësisë

Z. Aleksandër Sallabanda emërohet zëvendësministër i Shëndetësisë

Znj. Marjeta Zaçe emërohet zëvendësministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta

Z. Kastriot Sulka emërohet zëvendësministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta

Z. Eduard Halimi emërohet zëvendësministër i Drejtësisë

Z. Vladimir Kristo emërohet zëvendësministër i Drejtësisë

Z. Taulant Bino emërohet zëvendësministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave

Nevila Perndoj , Shekulli
Shtuar më 04/10/2005, ora 15:13
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori