Berisha e Bode: administrata, kontoll më të rrepte për financat
Auditi i Brendshëm në kuadër të Kontrollit të Brendshëm dhe Menaxhimit Financiar Publik do të implementohet së shpejti për t’u zbatuar në administratë.
Në këtë konkluzion kanë dalë drejtues të lartë të institucioneve shqiptare dhe përfaqësues të Komisionit Europian në një takim të mbajtur në Tiranë

Zyra e shtypit të kryeministrit bën të ditur se i pranishëm në këtë mbledhje ishte dhe zoti Robert Gielisse, Drejtor i Njësisë për Ballkanin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit në Komisionin Evropian, i cili bëri një prezantim rreth “Kontrollit të Brendshëm dhe Menaxhimit Financiar Publik”.

Duke vlerësuar se Auditi i Brendshëm është një partner shumë i rëndësishëm për një institucion, ai u shpreh se Kontrolli i Brendshëm Financiar Publik ka tri qasje kryesore: e para ka të bëjë me përgjegjshmërinë menaxheriale, e dyta ka të bëjë me Auditin e Brendshëm, e treta ka të bëjë me njësinë qendrore të harmonizimit.

Gjatë këtij takimi Kryeministri theksoi se qeveria do të bëjë më të mirën për të fuqizuar e konsoliduar më tej Auditin e Brendshëm, si një mjet shumë i rëndësishëm për eficencën dhe transparencën, e cila mbetet për t’u konsoliduar. "Ne jemi optimist se duke punuar së bashku me ju, duke patur ndihmën tuaj, do të konsolidojmë këtë mjet kyç të administratës”, u shpreh Kryeministri.

Gjithashtu edhe Ministri i Financave Ridvan Bode theksoi se implementimi i procesit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik në administratën shqiptare është në progres, janë miratuar të gjitha hallkat dhe janë ngritur strukturat. Ministri Bode shtoi se Auditi i Brendshëm në vendin tonë është audit me status të nëpunësit civil./albeu.com/
Shtuar më 02/11/2011, ora 17:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori