Berisha: Dule, tregti votash me minoritetin
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me kryetarin e Partisë Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen (M.E.G.A), zotin Kristo Kiço dhe drejtues të tjerë të kësaj force politike, me të cilët diskutoi për bashkëpunimin mes dy forcave politike.


"Kërkesat e tyre janë kërkesa kryekëput të bazuara në Kushtetutën dhe ligjet e Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare për minoritetin. Përgjegjësia e tyre është shumë madhe. Veçanërisht dua të theksoj se kjo parti merr një rëndësi të veçantë, në një kohë kur partia tradicionale, do ta quaja, e minoritetit u dëmtua në mënyrë të pariparueshme nga aleanca e pazareve, në rastin konkret. Aleancë, në të cilën, edhe para firmosje së saj, viktimë e parë ishte përfaqësuesi i votës së minoritarëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Unë dua të informoj qytetarët se nuk kisha ndërmend të angazhohesha dhe të mobilizoja votën për shkarkimin tij. Sikur zoti Dule të kalonte në anën tjetër, ne do ta zëvendësonim një nga përfaqësuesit tanë, por jo përfaqësuesin e minoriteteve. Nuk ka gjë më pa moral në qëndrimin ndaj minoriteteve, që edhe atë përfaqësues të vetëm t’ia bësh plaçkë tregu. Minoritetet nuk kanë nevojë për pazare, por për standarde të lirive dhe të drejtave njerëzore. Kështu që unë e përgëzoj zotin Kiço dhe të gjithë udhëheqjen e M.E.G.A-s, për vendosmërinë e përkushtimin e tyre në mbrojtje të interesave, të të drejtave njerëzore, lirive të minoriteteve. E garantoj gjithashtu se në këtë proces do të kenë përqindjen e vet në komisionerë e në çdo gjë, për të garantuar numërimin e votave, pasi kurrë ndonjëherë vota e minoritarëve nuk ka qenë më në rrezik se në këtë periudhë, nga aleanca e pazareve. Edhe vota e tyre mund të tregtohet tani, po të mos ishte M.E.G.A, e cila do ta administrojë me përfaqësuesin më serioz të minoritetit, çdo votë që ata do të hedhin në kutinë e votimit për cilindo subjekt elektoral, me ndershmërinë më të madhe," u shpreh Berisha në një prononcim pas takimit.

Ndërsa Kiço u shpreh se në programin e kësaj partie në plan të parë, është zgjidhja e problemeve të minoritetit etnik grek dhe jo përfitimet personale nga ndarja e pushteteve.

"Gjetëm mirëkuptimin e mbështetjen e Partisë Demokratike dhe veçanërisht të Kryeministrit, zotit Sali Berisha. Ndaj edhe sot jemi pjesë e këtij koalicioni. Programi ynë janë kërkesat e minoritetit etnik grek e do të përbëjnë boshtin e strategjisë politike të Partisë Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen, e cila do ketë në parlamentin e ardhshëm përfaqësuesit e saj, që do të dalin nga zgjedhjet e 23 qershorit" u shpreh Kico. /albeu.com/
Shtuar më 25/04/2013, ora 16:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori