Berisha: Do të punojmë që qytetarëve të mos ju mungojë uji
Gjatë ditës së hënë është mbajtur konferenca vjetore e ujit. Në këtë konferencë ka marrë pjesë edhe kryeministri Sali Berisha i cili është shprehur se shoqëria shqiptare ka nevojë për një ndryshim thelbësor të qëndrimit ndaj kësaj pasurie shumë të madhe

“Mbështes me admirim të madh këtë nismë të mrekullueshme për të cilën shoqëria shqiptare ka nevojë të madhe. Ka nevojë dhe për një ndryshim thelbësor në qëndrim ndaj kësaj pasurie shumë të madhe që është uji” është shprehur ai në fjalën e tij mbajtur në këtë konferencë.

Në vijim të fjalës së tij kreu i qeverisë ka thënë se 98% e familjeve shqiptare furnizohen me ujë të pijshëm dhe kjo falë projekteve të huaja që kanë investuar në ujësjellësat në vend.

“Përshëndes projektet e huaja që realizojnë furnizimin me ujë, donatorët e shumtë që janë ata austriakë, Banka Botërore. Falë tyre, sot 98% e familjeve marrin ujë rubineti, të rrjedhshëm, jo 24 orë sic duhet ta merrnin, por theksoj se 2% nuk marrin fare ujë. Ju garantoj se së shpejti do të ketë ujë të rrjedhshëm 24 orë në të gjitha familjet shqiptare” ka përfunduar ai duke dhënë premtimin se qeveria do të zgjidhte problemin e furnizimit me ujë për qytetaret.

Në temë tjetër për të cilën u diskutua në këtë konferencë ishte edhe ajo e pastrimit të ujërave të zeza. Për këtë cështje Berisha tha se me disa projekte po punohet që të pastrohet deti dhe liqenet në vend. “Do bëjmë gjithcka për një menaxhim të merituar të potencialit të madh ujor që ne kemi, që në liqen dhe në detrat tona të mos derdhet asnjë litër ujë i papastruar.
Në këtë kontekst janë 300 e ca milionë euro për investim, po punohet me impiantet e ujërave të zeza. Dua të përmend këtu se impianti i parë i ujrave të zeza është i vitit 2005, investim i qeverisë gjermane, sot i dyti në Pogradec, si dhe 14 të tjera që po ndërtohen në zonën bregdetare dhe së shpejti detrat e Shqipërisë do të jenë më të pastërtit në rajon dhe më gjerë”. Në këtë konferencë kanë marrë pjesë edhe disa prej donatorëve kryesorë që kanë investuar në këtë fushë./albeu.com
Shtuar më 01/11/2011, ora 19:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori