Berisha: Deputetët, pa shoferë e makina
Albeu.com
“Nuk ka asnjë vend në Evropë ku deputeti të ketë makinë dhe shofer, ky është abuzim i madh. Të them të drejtën, në kohën e monizmit deputetët nuk kishin makina as shoferë, ata kishin vetëm bileta”, - u shpreh kryeministri shqiptar Sali Berisha.Berisha shpall platformën e tij pesëvjeçare kundër korrupsionit, e cila në të ardhmen parashikon heqjen e makinave dhe shoferëve për deputetët, kufizimin e imunitetit të tyre, hartimin e ligjit për paratë e partive. Sipas kryeministrit, këto nisma duhet të finalizohen në emër të luftës kundër korrupsionit, ndaj rezultateve të së cilës komuniteti ndërkombëtar është mjaft i vëmendshëm. Berisha gjatë fjalës së tij mbajtur dje në mbledhjen e qeverisë, u shpreh se “ne jemi maxhoranca dhe ne duhet ta bëjmë transparencën, duhet ta luftojmë korrupsionin në çdo sektor”. Ai theksoi se kjo luftë është e rëndësishme pikërisht në këtë moment delikat të vendimmarrjes evropiane për zgjerimin. Kryeministri u shpreh se “pavarësisht se referendumi i Irlandës i tha jo zgjerimit, kjo nuk duhet të na bëjë pesimistë, pasi komuniteti evropian po na vëzhgon me llupë”. Ai bëri të ditur se këtë transparencë duhet ta fillojnë politikanët nga vetja, me kufizimin e imunitetit të deputetit, por dhe me shkurtimin e disa favoreve që përfitojnë deputetët. “Nuk ka asnjë vend në Evropë ku deputeti të ketë makinë dhe shofer, ky është abuzim i madh. Të them të drejtën, në kohën e monizmit deputetët nuk kishin makina as shoferë, ata kishin vetëm bileta”, - u shpreh ai. Më pas ai përmendi rrogën e deputetit, e cila së bashku me dietat “e kalon rrogën e kryeministrit. Kjo nuk përbën problem për mua, por i kërkoj parlamentit që të rishohin statutin e deputetit”.
Berisha më tej bëri të ditur se për këtë luftë antikorrupsion duhet të kontribuojnë të gjitha institucionet e varura dhe të pavarura, përfshi këtu edhe opozitën. “Do i kërkojmë opozitës që t’i bashkohet nismës sonë për luftën kundër korrupsionit, pasi edhe ajo duhet të jetë pjesë, por maxhoranca jemi ne dhe na takon neve të marrim vendimet dhe nismat përkatëse”, - u shpreh më tej kryeministri. Sipas tij, ka disa sektorë që janë prapa me luftën kundër korrupsionit. Dhe ai përsëri vuri gishtin te ministria e Shëndetësisë. Kryeministri vlerësoi punën e ministres së re Godo, duke hedhur poshtë punën e ministrit të kaluar, Ndoka. Berisha theksoi se lufta kundër korrupsionit është vendimtare për integrimin e Shqipërisë në BE, në NATO. “MSA dhe procesi i integrimit evropian, sikundër edhe ai në NATO, ka një univers të tërë standardesh, normash, kriteresh dhe praktikash. Në këtë proces, pas zgjedhjeje të lira, asgjë nuk është përcaktuese sesa lufta kundër korrupsionit. Çka është arritur, duhet të konsiderohet vetëm një dëshmi e mundësisë për të ndryshuar situatën”, - bëri të ditur dje Berisha në fjalën e tij mbajtur në këtë mbledhje. (news24)
Shtuar më 04/10/2008, ora 17:59
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori