Berisha: Arsimi t’i përshtatet kushteve të tregut
Kryeministri i vendit, Sali Berisha, në mbledhjen e sotme të qeverisë u ndal në arsimin universitar dhe atë profesional. Z. Berisha u shpreh se sot do të miratohen kuotat për pranim në universitetet publike, të studentëve me kohë të pjesshme, duke shtuar se do të rritet numri i atyre që do të ndjekin këto studime, por që theksoi se kjo rritje do të shkojë kryesisht në favor të personave me aftësi të kufizuara.

Më tej kreu i qeverisë tha se këtë vit do të ulen në universitete rreth 37 mijë studentë si me kohë të pjesshme dhe me kohë të plotë.

Kryeministri nënvizoi se një problem serioz mbetet arsimi profesional duke theksuar se është një ndër elementët më thelbësor dhe funksional të vendit.

“Në Shqipëri, akoma nuk është e qartë leverdia dhe koncepti se sa me interes është të shkollohen fëmijët, në një shkollë profesionale. Ministria e Arsimit dy vjet më parë dhe në vazhdim ka garantuar bursa për të gjitha zonat verilindore dhe juglindore të vendit për të vazhduar shkollat profesionale. Kjo dha një lloj rritje por jo atë që në kërkonim, prandaj edhe një herë ftoj shqiptarët që në interes të punësimit të konsiderojnë në mënyrë serioze, shkollimin në shkollat profesionale”, deklaroi Berisha.

Në vijim ai ftoi sektorin publik dhe atë privat të arsimit që të shumëfishojnë përpjekjet për përshtatjen me kërkesat e tregut, duku u kërkuar atyre që të investojnë me përparësi ndaj arsimit profesional.

“Arsimimi është i rëndësishëm, por më i dobishëm është kur u përshtatet kushteve të tregut”, përfundoi Berisha. /albeu.com/
Shtuar më 31/08/2011, ora 12:47

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori