Berisha apo Basha? Topalli rrëfen se ku ndryshon marrëdhënia me liderat e PD-së
Deputetja Jozefina Topalli është një ndër zërat më të vjetër të PD-së që gjithmonë ka zgjedhur të tregohet kritike në lidhje me mënyrën se si opozita po zhvillon aktivitetin e saj.

Duke folur pa dorashka përballë studentëve në “Këndin e ekselencës” në “News24”, Topalli tregon se ku ndryshon marrëdhënia e saj me Bashën krahasuar me Berishën.

“Ku ndryshon marrëdhënia ime me Bashën krahasuar me Berishën? Padyshim që janë shumë të ndryshme. Kam patur një bashkëpunim të shkëlqyer me zotin Berisha. Ia kemi dalë ta ngremë nga hiri PD-në, dhe të bëjmë vepra të mëdha në mbarë vendin.

Gjatë qeverisjes së PD janë bërë investime të mëdha në gjithë Shqipërinë”, thotë deputetja demokrate, shkruan News 24.

Jozefina Topalli nuk ka ngurruar asnjëherë të shprehë pozitivitetin për raportin e saj me liderin historik të PD-së, Sali Berisha, të cilin e vlerëson shumë.

Edhe përgjatë 4 viteve të fundit në opozitë, Topalli ka qëndruar gjithmonë në krah të Berishës.

Ndonëse e vlerëson pozitivisht protestën e opozitës, Topalli shfaq edhe pakënaqësitë e saj, ndonëse nuk i thotë hapur ato.
Ajo thekson se protestat janë një mjet demokratik për të bërë që zëri i qytetarëve të dëgjohet.

“Meraku im është që nuk munda të jem në protestën e 18 shkurtit. Basha është kryetar i PD dhe po bën punën e tij. Kam qenë pro që protesta të bëheshin edhe më parë. Ka patur gjithmonë arsye për të protestuar dhe reaguar”, u shpreh ajo./albeu.com/

Shtuar më 01/03/2017, ora 11:23

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori