Berisha anuloi viziten ne Shkup
Albeu.com
Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka anuluar vizitën e paralajmëruar më 26 maj për në Maqedoni. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Petar Çulev.“Të dy grupet nga shtetet përkatëse po punojnë për gjetjen e një termini të përshtatshëm për t’u zhvilluar ky takim. Siç po shkojnë punët në muajin maj nuk do të ketë ndonjë vizitë të Berishës në Maqedoni”, tha Çulev. Ai nuk ka pranuar të theksojë se cilat janë arsyet e anulimit të kësaj vizite, ndërsa nuk ka dhënë asnjë informatë se cilin muaj pritet ta vizitojë Berisha Shkupin zyrtar.

Nga kabineti i kryeministrit Sali Berisha nuk kanë pohuar pse bëhet anulimi i kësaj vizite, e cila ishte planifikuar që më parë. Mësohet se përgjigja zyrtare nga Shqipëria dërguar autoriteteve maqedonase ka qenë angazhimi i madh i kryeministrit Berisha në takimet me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare si dhe thellimi i krizës politike mes pozitës dhe opozitës.

Jozyrtarisht “Lajm” mëson se kryeministri shqiptar ka refuzuar në këtë moment të vizitojë Maqedoninë për shkak të situatës së tensionuar ndërmjet etnitetit shqiptarë dhe maqedonas, mospranimin e kërkesave të shqiptarëve nga ana e Gruevskit dhe vrasja e katër shqiptarëve ditë më parë nga policia maqedonase.

Vetë kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, gjatë takimit me Ahmetin e Thaçin në Tiranë, kishte apeluar që të ruhet situata e qetë në Maqedoni, pasi dhuna nuk i shërben askujt. Megjithatë, vrasja e Harun Aliut - Kushtrimit nga policia maqedonase duket se ka hedhur “benzinë në flakë” dhe e ka tensionuar edhe më shumë situatën e nxehtë në Maqedoni.

Berisha me mosardhjen e tij ka dashur t’i dërgoj një porosi kryeministrit Gruevski që mos të shkelë kërkesat e shqiptarëve.

Nga kabineti i kryeministrit Gruevski nuk kanë dhënë ndonjë sqarim pse nuk realizohet kjo vizitë.

Në agjendën e ardhjes së Sali Berishës në Maqedoni ishte intensifikimi i bashkëpunimin në sferën e ekonomisë, infrastrukturës, revidimin e marrëveshjes për ujërat si dhe takime me kreun shtetëror dhe të partive kryesore politike në Maqedoni.

Iniciativa për vizitën e Berishën në Shkup ka lindur pas ftesës që ia kishte bërë Gruevski gjatë një takimi joformal në Kranj të Sllovenisë.

“Vendimi i Kryeministrit Berisha dëshmon përkujdesjen institucionale të Shqipërisë për pjesët e kombit shqiptar, që jetojnë jashtë kufijve politik të Shqipërisë. Me këtë veprim prindëror, të sinqertë dhe të drejtë, z. Berisha dhe institucionet shqiptare bashkëndjejnë fatin e shqiptarëve të Maqedonisë dhe të Kosovës duke përqafuar opinionet e tyre dhe duke vepruar në përputhshmëri me pritjet e qytetarëve shqiptarë të Shkupit dhe Prishtinës”, transmeton INA komunikatën e lëvizjes “Zgjohu”.
Lëvizja ZGJOHU! fton kryeministrin e Shqipërisë, z. Sali Berisha, dhe kryeministrin e Kosovës, z. Hashim Thaçi, që ta ushtrojnë autoritetin e tyre duke ndikuar në unifikimin e qëndrimeve të partive politike shqiptare në Maqedoni për çështjet kryesore kombëtare dhe duke ndikuar që shqiptarët të evitojnë provokimet e ndryshme që synojnë fajësimin e shqiptarëve për keqvajtjet shtetërore, të cilat vijnë si pasojë e kokëfortësisë maqedonase për të zgjidhur çështjen e emrit dhe për të pranuar shqiptarët si qytetarë të barabartë të këtij vendi.
“Përcaktimi strategjik i të gjithë shqiptarëve në rajon është integrimi i tyre i përbashkët në strukturat Euroatlantike nëpërmjet anëtarësimit të vendeve ku jetojnë në NATO dhe BE. Andaj, të gjitha kapacitet shqiptare në Maqedoni duhet të mobilizohen për ta realizuar ëndrrën e shqiptarëve dhe për të pamundësuar çdo përpjekje për shmangie nga kjo rrugë”, thuhet më tej në komunikatë.
Shtuar më 19/05/2010, ora 12:50
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori